Arsenal mposhtet në “Goodison Park”, rihapet edhe më shunë gara për titull në Premierligë - NACIONALE

Arsenal mposhtet në “Goodison Park”, rihapet edhe më shunë gara për titull në Premierligë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Everton ka mposhtur 1:0 Arsenalin. Vendësit luftuan shumë për ta arritur këtë fitore, duke u angazhuar në çdo kënd të fushës. Arsenali me këtë humbje e hapi edhe më shumë garën për titull.

Në “Goodison Park” u zhvillua ndeshja e parë që ishte në program për ditën e sotme. Everton u duk krejtësisht skuadër e rilindur kundër Arsenalit, pasi drejtimin e saj e ka marrë ish-trajneri i Burnleyt, Dyche.

Megjithëse topin më shumë e qarkulloi Arsenali, rastet më të mira në ndeshje i patën vendësit, të cilët edhe goditën më shumë brenda kuadratit të portës.

Përmes kundërsulmeve skuadra nga Merseyside u tregua e rrezikshme, sa herë që dilte në tranzicion të shpejtë. Në pjesën e parë, përkundër disa aksioneve të mira që u panë në ndeshje, epilogu u mbyll me portat e paprekura.

Pjesa e dytë doli të ishte përcaktuese për fatin e ndeshjes. Në minutën e 60-të Everton arriti që ta zhbllokojë rezultatin.

Pas një ekzekutimi të mirë nga këndorja që bëri McNeil, Tarowski u shkëput më së miri në zonë të rreptësisë, duke goditur me kokë për 1:0.

Arsenali u përpoq të kundërpërgjigjej, duke u vërsulur i tëri në gjysmëfushën kundërshtare në minutat në vijim, por pa pasur hapësirat e nevojshme për të krijuar raste konkrete për gol.

Deri në fund të sfidës nervat ishin të acaruara, pasi të dy skuadrat luftuan shumë, por vendësit ia dolën që ta ruanin epërsinë prej një goli.

Kësisoj, Arsenali regjistroi humbjen e dytë në Premierligë, e cila mundëson që të rihapet akoma më shumë gara për titull. Dallimi në pikë me Manchester Cityn që zë pozitën e dytë është vetëm pesë pikë.

Ndërkaq Evertoni pas tri humbjeve të njëpasnjëshme, më në fund shijoi aromën e tre pikëve. Me këtë fitore skuadra nga Liverpooli tani zë pozitën e 17-të me 18 pikë të arkëtuara.

Përmbledhja e ndeshjes Everton - Arsenal:

Lajme të ngjashme