Arteta: Duhet të tregojmë se kemi rritur nivelin tonë
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka folur para ndeshjes kryesore të kësaj jave në Premierligë, ku skuadra e tij përballet me Liverpoolin. Ai ka thënë se në Emirates Stadium duhet ta vërtetojnë se kanë rritur nivelin e tyre dhe se mund të konkurrojnë për më shumë.
Skuadra e trajneri spanjoll është në krye të ligës më të fortë në botë dhe gjendet 11 pikë para të kuqve që luajnë kundër tyre këtë të diele.

“Është një lojë vërtet emocionuese kundër një prej kundërshtarëve më të mirë në këtë ligë”, tha ai. “Do të jetë një ndeshje vërtet kërkuese që do të na kërkojë të jemi në maksimumin tonë. Është një ndeshje që të gjithë e kërkojnë kundër një kundërshtari që ka treguar nivelin që kanë në pesë, gjashtë vitet e fundit. Ne duhet të tregojmë se kemi ngritur nivelin tonë dhe jemi në gjendje të konkurrojmë”.
Arsenali është në krye të Ligës Premier pasi ka marrë 21 pikë nga 24 të mundshme këtë sezon me vetëm një humbje ndaj Manchester United, por Arteta beson se ka shumë më shumë për të ardhur për skuadrën e tij.

“Jam shumë i vetëdijshëm se mund të arrijmë shumë më shumë se ku jemi sot dhe duhet të bëjmë më mirë që të jemi skuadra që duam të jemi dhe sfida është që të jemi në gjendje ta bëjmë këtë çdo tre ditë”, tha ai.
"Ju gjithmonë i shihni dobësitë që dëshironi të përmirësoni."
Arteta foli gjithashtu për krenarinë e tij se si ka ndryshuar atmosfera dhe dinamika në klub nën drejtimin e tij.

“Jam vërtet i lumtur dhe krenar për ndryshimin e dinamikës dhe se si është atmosfera rreth klubit”, shtoi ai.
“Matja e suksesit është nëpërmjet ngritjes së trofeve, por gjithashtu duhet të kuptoni se ku ishim dhe sa i thyer dukej klubi dhe mjedisi më parë. Si duket tani është një meritë për të këtu në Arsenal"
Se Arteta ka arritur të kthejë atmosferën te topçinjtë është i vetëdijshëm edhe homologu i tij që përballen të dielën, Jurgen Klopp.

“Padyshim që Mikel e bëri punë të mirë. Unë kam shumë respekt për të. Ata kishin shumë talent gjatë viteve të fundit, me Martinellin për të cilin u emocionova shumë herët dhe ai u bë lojtari që prisja, për Odegaard që kur ishte 15 vjeç e donte e gjithë bota, Saka i cili që nga fillimi ka qenë i jashtëzakonshëm, rikthimi i Granit Xhakës në rrugën e duhur e shumë lojtarë të tjerë, që nën drejtimin e Artetas po bëjnë punë të mrekullueshme.


