Arsenali shënon fitore në derbin e Londrës, Tottenham del kokë ulur nga Emirates - NACIONALE

Arsenali shënon fitore në derbin e Londrës, Tottenham del kokë ulur nga Emirates

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Arsenali ka arritur të fitojë derbin e qytetit të Londrës kundër Tottenham Hotspur, me rezultat 3:1, kështu duke vazhduar të kryesojë tabelën e Premierligës të paktën edhe për një javë.

Më meritorët për këtë fitore ishin Granit Xhaka, Gabriel Jesus e Thomas Partey që shënuan nga një gol për ta fituar derbin e zjarrtë në Emirates Stadium.

Image

Pjesa e parë

Premierliga rrallë herë që nuk prodhon ndeshje të mira, kështu ndodhi edhe në Emirates Stadium, ku po ndesheshin skuadrat e qytetit të Londrës.

Rastet e para në ndeshje i takuan skuadrës mysafire, ku rrezikoi me anë të një goditje direkte si dhe njëherë me anë të Richarlison, por në këtë rast të dytë u tregua i mrekullueshëm Ramsdale, duke ndalur goditjen mjaftë mirë.

Rregulli i pashkruar në futboll thotë se kur nuk shënon pëson.

Arsenal mori lojën nën kontroll dhe goli i epërsisë nuk vonoi.

Po zhvillohej minuta e 20-të kur Thomas Partey shënoi gol të jashtëzakonshëm me një goditje mjaftë precize, pas një asistimi të mbrojtësit Ben White, për rezultatin 1:0.

Edhe pse Arsenali kishte kontrollin e lojës, një pakujdesi në mbrojtje bëri që rezultati shumë shpejtë të barazohej.

Ishte minuta e 30-të kur mbrojtësi brazilian Gabriel shkaktoi penallti në Richarlison dhe sulmuesi anglez Harry Kane e dërgoi topin në rrjetë nga pika e bardhë pas një minute, për rezultatin 1:1.

Në vazhdim të pjesës së parë të dy skuadrat u treguan të kujdesshme dhe 45 minutat e para u ndanë me barazim 1:1.

Pjesa e dytë

Arsenali e filloi shumë mirë pjesën e dytë, ku menjëherë pas katër minutave lojë, pra në minutën e 49-të ishte Gabriel Jesus që shënoi golin e epërsisë, pas një gabimi trashanik nga portieri francez Lloris.

Gjërat nuk kishin si të shkonin më keq, kur në minutën e 62-të mbrojtësi anësor Emerson Royal, ndërhyri ashpër në Martinellin në pjesën e pasme të këmbës me ç’ rast u ndëshkua me karton direkt të kuq, duke lënë skuadrën e tij me një lojtar më pak për gati 30 minuta.

Administrimi i ndeshjes nga Arsenal tani ishte më e lehtë, kur kihet parasysh se kishin epërsi edhe numerike edhe në rezultat.

Skuadra e Mikel Artetas, arriti të shënonte edhe golin e tretë dhe të sigurisë.

Kësaj radhe ishte mesfushori zviceran me prejardhje shqiptare, Granit Xhaka që shënoi për 3:1 në minutën e 67-të pas një asistimi të Martinellit dhe një veprimi individual të bukur.

Ky ishte goli i dytë për Xhakën në këtë sezon në Premierligë, krahas dhe tre asistimeve që ka bërë, që dëshmon një formë që nuk e ka kaluar më parë me skuadrën londineze. Siç duket trajneri spanjoll ka arritur ta ngjallë Xhakën e viteve të para të Arsenalit dhe atij të Bundesligës.

Me këtë fitore, Arsenali e vazhdon kryesimin në ligën më të fortë në botë, ku në tetë ndeshje ka grumbulluar 21 pikë dhe ka katër pikë më shumë se Manchester City që ka një ndeshje më pak, dhe nesër do të përballet në derbin e qytetit të Manchesterit, me Manchester United me fillim nga ora 15:00.

Lajme të ngjashme