Arsenali përmbys Aston Villën në minutat shtesë dhe rrëmben kreun e tabelës - NACIONALE

Arsenali përmbys Aston Villën në minutat shtesë dhe rrëmben kreun e tabelës

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Arsenali i Mikel Artetas ka arritur me shumë mund të marrë fitoren në udhëtim te Aston Villa, duke vendosur një gol i minutave të fundit për fitoren 4:2.

Faza e rezultateve të dobëta për topçinjtë filloi me barazimin ndaj Brightonit, fal edhe një skandali të gjyqtarëve që pranuan një gol nga pozita jashtë loje, duke vazhduar me një humbje 3:1 nga rivali kryesor për titull, Manchester City, ndërsa tani është kthyer te fitoret fal një goli në minutat shtesë për të marrë kryesimin e tabelës.

Vendasit kaluan shpejt në epërsi, me golin e Ollie Watkins në minutën e pestë, pasi i iku William Salibas dhe gjeti golin për 1:0.

11 minuta më pas, topçinjtë u kthyen në lojë me anë të një goli të jashtëzakonshëm nga Bukayo Saka.

Philippe Coutinho tregoi se ka në qejf t’i shënojë Arsenalit, këtë e bëri në minutën e 31-të me një goditje shumë të mençur dhe dinake për rezultatin 2:1, me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Pjesën e dytë Arsenali bëri një përmbysje të madhe, duke shënuar tre gola.

Ishte fillimisht Oleksandr Zinchenko që barazoi rezultatin në 2:2.

Për epërsinë e parë të topçinjve në ndeshje u përkujdes Jorginho me një goditje shumë të bukur, por goli iu shënua portierit Emiliano Martinez, që devijoi topin në gol për 3:2 në minutat shtesë.

Krejt në fund para se gjyqtari të vërshëllente në një kundërsulm Arsenali shënoi edhe një herë, kësaj radhe ishte Gabriel Martinelli që i vetëm me portën boshe shënoi për 4:2.

Kjo fitore i çon topçinjtë në krye të tabelës së Premierligës, me tre pikë më shumë se Manchester City, që zhvillon ndeshjen e saj sot.

Lajme të ngjashme