Arsenali e vazhdon mbretërimin në Premierligë, e mposht Wolvesin në Fly Emirates
Arsenali ka vazhduar me fitore në Premierligë, pasi ka mposhtur në Fly Emirates 2:1 Wolverhampton, duke vazhduar mbretërimin në Premierligë, tani me katër pikë më shumë se Manchester City i vendit të dytë, që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Topçinjtë tani janë në seri të fitoreve në tri ndeshje radhazi në elitën angleze, teksa shënuan fitore të thellë edhe në mesjavë në Ligë të Kampionëve, ku siguruan kalimin e grupeve si lider.
Sa i përket ndeshjes së sotme, skuadra e Mikel Artetës dominoi pothuajse në tërë takimin, por që krejt në fund e vuri disi në dyshim fitoren.
Ishte Bukayo Saka që shënoi për 1:0 në minutën e gjashtë të takimit, me Takehiro Tomiyasu që ishte në rolin e asistuesit.
Vetëm shtatë minuta më vonë, saktësisht në minutën e 13-të, kapiteni Martin Odegaard gjeti golin për 2:0, kësaj radhe asitoi Oleksandr Zinchenko.
Me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim, ndërsa në pjesë të dytë raste më të rrezikshme për të shënuar patën mysafirët, që ishte e kuptueshme, pasi ishin në kërkim të rezultatit.
Krejt çfarë Wolves arriti të bënte në këtë takim, ishte një gol i shënuar në minutat e fundit, nëpërmjet brazilianit Matheus Cunha, që u asistua nga Nelson Semedo për 2:1.
Me këtë rezultat u mbyll takimi dhe Arsenali i gëzoi tre pikët e radhës, që e mbanë atë në krye të tabelës për të paktën edhe një javë, ndërsa Wolves tani rrezikon ta humbë vendin e 13-të që e mbanë momentalisht, pasi Fulham dhe Forest kanë nga një ndeshje më pak të zhvilluar.
