Arsenal përgatit një ofertë të fundit për Tielemans
Arsenal mesa duket është duke përgatitur një ofertë të fundit për të transferuar Youri Tielemans nga Leicester City gjatë afatit kalimtar të janarit.
Derisa "Dhelprat" kanë provuar ta shesin 25-vjeçarin, trajneri Brendan Rodgers ka vazhduar me besimin duke e lënë në formacionin bazë edhe pse është në muajt e fundit të kontratës, që i skadon në qershorin e vitit 2023.
Sipas "The Mirror", Leicester City është i hapur t'i ndajë rrugët me belgun për 20 milionë funte, që është gjysma e çmimit që paguan në vitin 2019.
Me Arsenalin që është në kreun e Premierligës, trajneri Mikel Arteta dëshiron të përforcojë mesfushën që të luftojë me Manchester Cityn deri në fund për titull.
Prandaj, ata po përgatisin një ofertë përfundimtare drejt skuadrës angleze, si një provë të fundit për ta realizuar transferimin.
Sidoqoftë, "Topçinjtë" nuk do ta kenë edhe shumë të lehtë pasi edhe Newcastle United gjithashtu kanë interesim për Tielemans që nga gushti.
Arsyeja kuptohet pasi Tielemans ka dëshmuar se është një ndër mesfushorët më të mirë në sezonet e fundit, sidomos duke shënuar atë golin nga 30 metra ku Leicester fitoi titullin e FA Cup.
Në 175 paraqitje për klubin, ai ka shënuar 27 gola si dhe ka asistuar 25 herë në të gjitha garat.
Leicester më parë kishte besim se lojtari do të rinovonte, por tani situata ka ndryshuar sidomos pasi Tielemans luajti në tre ndeshjet e Belgjikës në fazën e grupeve, por që nuk arritën të avancojnë në fazën e eliminimit direkt.
Së fundmi ai lidhur me të ardhmen tha: "Nuk do të flas shumë për situatën e kontratës sime për momentin".
"Familja ime është e lumtur aty (në Leicester) dhe kjo është e rëndësishme. Nuk u largova në verë sepse gjithmonë e kam thënë projekti duhet të jetë i duhuri".
"Vetëm pse gjërat janë duke u bërë keq te Leicester nuk do të thotë që jam pishman. Unë flas çdo ditë me klubin për rinovimin ose jo. Ajo punë është e agjentit tim".
"Në fund do të vendos. Kishte bisedime me klube, por nuk do të flas lidhur me të".