Arsenal e nis me fitore ndeshjen hapëse të Premierligës, shkëlqejnë përforcimet e reja - NACIONALE

Arsenal e nis me fitore ndeshjen hapëse të Premierligës, shkëlqejnë përforcimet e reja

1 javë më parë

nga NACIONALE

Ka nisur edicioni i ri i Premierligës mes sfidës Crystal Palace dhe Arsenal, ku skuadra e Artetas fitoi me rezultat 0:2, duke i rrëmbyer tri pikët e para.

Arsenal është organizuar mjaft mirë në freskimin e organikës së skuadrës, duke sjellë përforcime të reja në radhët e veta, të cilat menjëherë patën hapësirë, sot, në ndeshjen hapëse të edicionit të ri të Premierligës, që t'i tregonin aftësitë e veta.

Sfida që u zhvillua në "Selhurst Park" foli në të mirën e Arsenalit. "Topçinjtë" kanë zhvilluar një fazë parapërgatitore vërtet të suksesshme dhe frytet e gjithë asaj periudhe u panë gjatë ndeshjes së sontme.

Sinergjia e mirëfilltë mes sulmuesve teknikë brazilianë, si Martinelli dhe Gabriel Jesus, ishte vrastare për mbrojtjen nikoqire, që hasi në shumë probleme për t'u kundërvyer sulmeve të tyre. Edhe Crystal Palace pati rastet e veta, por Arsenal ishte skuadra që ia doli t'i marrë pikët e plota.

Tridhjetë minuta spektakël nga Jesus dhe Martinelli

Arsenali menjëherë e nisi furishëm dhe në sulm ndeshjen. Loja e bukur është në ADN-në e tyre, por kësaj radhe me përforcimet e reja dhe cilësinë që i karakterizon ata, dukej gjithçka më e lehtë.

Që në minutën e 4-të, Gabriel Jesus tregoi se përse është një sulmues i rëndësishëm. Një slalom depertimesh dehëse, e vunë në një pozitë të lakmueshme shënimi Martinellin, por ky i fundit nuk u tregua klinik para portës.

Në minutat në vijim, Arsenal vazhdoi tryesninë, pa u zmbrapsur nga aksionet sulmuese. Binomi Martinelli dhe Jesus ishin të frikshëm në minutat e parë.

Crystal Palace njihet për lojë të mirë në ajër, por pikërisht në rrethana të tilla pranuan golin e disavantazhit. Një harkim nga këndi në minutën e 20-të shkoi në përpikëri me skemën e përgatitur. Me topin që përfundoi te koka e Zinchenkos, ky i fundit e devijoi në brendi të zonës dhe nga afërsia Martinelli e shty në rrjetë.

Përpjekja e Crystal Palace për ta barazuar rezultatin

Nga minuta e 30-të e lojës, Crystal Palace filloi që ta merrte veten dhe të organizonte aksione më të rrjedhshme. Përmes daljeve të shpejta, të mundësuara nga sulmuesit anësorë teknikë që ka në radhët e veta - Crystal Palace u përpoq që t'i shkaktonte kokëçarje Arsenalit.

Me pjesën e parë që u mbyll në shifrat 0:1 për "topçinjtë", ishin vendësit ata që hyrën në lojë me një intensitet më të madh në çerekun e parë të pjesëlojës së dytë.

Fantazisti Eze pati një mundësi të volitshme në minutën e 52-të, por portieri anglez Ramsdale bëri mrekullinë, duke e neutralizuar me këmbë goditjen e tij nga afërsia.

Shënimi i golit të dytë nga Arsenal dhe mbajtja e portës së paprekur

Në tridhjetë minutat e fundit të ndeshjes, skuadra e Arteta tregoi një shkallë të lartë të lojës së pjekur, meqë duke u tërhjekur mbrapa arriti si ta ruajë rezultatin, ashtu edhe të mos i lërë hapësira të mëdha Arsenalit.

Ky ishte një tregues i mirë për kompaktësinë që ka filluar ta fitojë skuadra pas organizimit që është duke e ndërmarrë, me blerjet e reja dhe integrimin e tyre në grup.

Kësisoj, deri në fund të ndeshjes, përkundër disa aksioneve sporadike të vendësve, Arsenal mjaft mirë ia doli që ta menaxhonte epërsinë e krijuar. Ata përveç që bënë një gjë të tillë, ia arritën që ta gjejnë edhe golin e sigurisë, kur në minutën e 85-të Guehi shënoi autogol.

Me shifrat 0:2 u mbyll edhe tërë ndeshja. Kjo ishte një fitore me rëndësi që mori Arsenal, pasi ia mundësoi që ta nisë kampionatin në formën më të përkryer.

Për ata që nuk kanë mundur ta shikojnë ndeshjen, këtu mund ta gjejnë përmbledhjen e plotë nga sfida e sontme.

Lajme të ngjashme