Arrihet marrëveshja, Jorginho lojtari më i ri i Arsenalit
Arsenali ka arritur marrëveshje me Chelsean për blerjen e mesfushorit italian Jorginho.
Lideri i Premierligës është pajtuar t’ia paguajë rivalit të vet londinez rreth 15 milionë euro për shërbimet e 31-vjeçarit.
Chelsea i ka pranuar të gjitha kushtet dhe tani ka mbetur vetëm kompletimi i dokumenteve për kalimin e Jorginhos në Arsenal.
Ndërkohë, Jorginho do të nënshkruajë marrëveshje afatshkurtër me topçinjtë, deri në verën e vitit 2024, por me mundësi për ta vazhduar për edhe një vit tjetër.
Testet mjekësore janë caktuar dhe Jorginho pritet të jetë zyrtarisht lojtar i Arsenalit sot pasdite më së largu.
Fabrizio Romano raporton se trajneri Mikel Arteta ka qenë faktori kyç në arritjen e kësaj marrëveshjeje.
Arsenali e nisi kontaktet me Chelsean për Jorginhon pasi Brightoni ia bëri me dije se Moise Caicedo nuk do të largohej.
Caicedo ka qenë synimi parësor i Arsenalit për mesfushën këtë afat kalimtar.