Arrestohen shtatë persona për fyerjet raciste ndaj Viniciusit - NACIONALE

Arrestohen shtatë persona për fyerjet raciste ndaj Viniciusit

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Shtatë persona janë arrestuar në lidhje me dy incidente të ndara raciste ndaj sulmuesit të Real Madridit Vinicius Junior, njoftoi policia spanjolle të martën.

Tre prej të arrestuarve – në Valencia – kanë të bëjnë me thirrjet raciste që iu bënë brazilianit gjatë përballjes së Real Madridit me Valencian në Mestalla në një ndeshje të Laligës të dielën.

Katër të arrestuarit e tjerë dyshohet për varjen e një manekini të Viniciusit në një urë na Madrid në janar.

Abuzimi që iu bë Viniciusit në Mestalla ka shkaktuar reagime globale, posaçërisht në Brazil, ku edhe politikanët, përfshirë presidentin Luiz Inacio Lula da Silva, lojtarët dhe klubet i kanë dalë në përkrahje lojtarit, duke i kritikuar autoritetet spanjolle për mënyrën se si e kanë trajtuar çështjen e racizmit.

Ndeshja u ndërpre për pesë minuta për shkak të thirrjeve raciste të tifozëve ndaj anësor brazilian.

Vinicius, 22 vjeç, u përjashtua nga loja me karton të kuq për shkak të sjelljes së dhunshme në minutën e 97-të, kur u kacafyt me Hugo Duron e vendasve.

“Ky kampionat që dikur u takonte Ronaldinhos, Ronaldos, Cristianos dhe Messit, sot u takon racistëve”, shkroi Vinicius në Instagram.

“Kjo nuk është hera e parë, as e dytë e as e tretë. Racizmi është normal në Laliga. Kjo garë mendon se është normal, siç mendon edhe Federata dhe kundërshtarët e nxisin atë”, shtoi ai.

Lajme të ngjashme