Arrestohen katër persona të dyshuar për varjen e manekinit të Viniciusit në urën e Madridit
Katër persona janë arrestuar të dyshuar për varjen e një manekini të Vinicius Juniorit në një urë në kryeqytetin spanjoll para përballjes së Real Madridit më Atletico Madridin në janar.
Manekini ishte varur në fyt në urën mbi një autostradë në Madrid në mëngjesin e ditës çerekfinale në Kupën e Mbretit mes dy klubeve rivale më 26 janar.
Afër manekinit të varur në urë ishte vendosur edhe një pankartë kuqebardh me mbishkrimin: “Madridi e urren Realin”.
Mediat spanjolle thanë të martën se katër persona janë arrestuar pas një hetimi mbi krimin e urrejtjes.
Ky veprim ishte dënuar nga Real Madridi dhe Atletico, ndërsa Laliga kishte lëshuar një komunikatë zyrtare.
“Ne i dënojmë fuqishëm veprimet urrejtëse ndaj Vinicius Juniorit. Mosdurimi dhe dhuna nuk kanë vend në futboll”, thuhej në reagimin e La Ligës.
Vinicius ka qenë cak i fyerjeve dhe abuzimeve raciste gjatë gjithë këtij sezoni.
Rasti më i fundit i racizmit ndaj tij ndodhi në fundjavë në përballjen e Real Madridit me Valencian në Mestalla.
Ndeshja u ndërpre për pesë minuta për shkak të thirrjeve raciste të tifozëve ndaj anësor brazilian.
Vinicius, 22 vjeç, u përjashtua nga loja me karton të kuq për shkak të sjelljes së dhunshme në minutën e 97-të, kur u kacafyt me Hugo Duron e vendasve.
“Ky kampionat që dikur u takonte Ronaldinhos, Ronaldos, Cristianos dhe Messit, sot u takon racistëve”, shkroi Vinicius në Instagram.
“Kjo nuk është hera e parë, as e dytë e as e tretë. Racizmi është normal në Laliga. Kjo garë mendon se është normal, siç mendon edhe Federata dhe kundërshtarët e nxisin atë”, shtoi ai.

