Vinicius: Laliga dikur u takonte Ronaldos e Messit, sot u takon racistëve - NACIONALE

Vinicius: Laliga dikur u takonte Ronaldos e Messit, sot u takon racistëve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sulmuesi i Real Madridit, Vinicius Junior, ka thënë se Laliga u takon racistëve, pasi tifozët e Valencias e abuzuan atë vazhdimisht në baza racore duke e quajtur “majmun”.

Vinicius, 22 vjeç, u përjashtua nga loja me karton të kuq për shkak të sjelljes së dhunshme në minutën e 97-të, kur u kacafyt me Hugo Duron e vendasve.

Më herët gjatë ndeshjes, Vinicius u përpoq ta bëjë gjyqtarin të vetëdijshëm për një tifoz që bënte thirrje raciste ndaj tij.

“Ky kampionat që dikur u takonte Ronaldinhos, Ronaldos, Cristianos dhe Messit, sot u takon racistëve”, shkroi Vinicius në Instagram.

“Kjo nuk është hera e parë, as e dytë e as e tretë. Racizmi është normal në Laliga. Kjo garë mendon se është normal, siç mendon edhe Federata dhe kundërshtarët e nxisin atë”, shtoi ai.

“Një komb i mrekullueshëm i cili më ka mirëpritur mua dhe të cilin e dua, por i cili është pajtuar ta shfaqë një imazh të një vendi racist para tërë botës. Më vjen keq për spanjollët që nuk pajtohen, por sot, në Brazil Spanja njihet si një vend i racistëve”.

“Fatkeqësisht, për gjithçka që ndodh çdo javë, mua s’ka kush të më mbroj. Pajtohem. Por unë jam i fortë dhe do të shkoj deri në fund kundër racistëve. Edhe nëse duhet larg nga këtu”, përfundoi ai.

Në një komunikatë për media, Laliga tha se ka luftuar kundër sjelljeve të tilla për vite të tëra, si dhe për t’i promovuar vlerat pozitive të sportit, jo vetëm në fushë por edhe jashtë saj.

Por sulmuesi brazilian është abuzuar në mënyrë racore shpesh herë këtë sezon në Laliga.

Ndeshje e djeshme në Laliga mes Realit dhe Valencias u ndërpre për disa minuta në pjesën e dytë, pasi Vinicius reagoi ashpër për incidentin.

Trajneri i Madridit, Carlo Ancelotti, tha se ndeshja është dashur të anulohej për shkak të abuzimit ndaj lojtarit të tij.

“Çfarë pamë sot është e papranueshme. I tërë stadiumi bënte thirrje raciste”, tha italiani.

Lajme të ngjashme