Aro Muric i pakapërcyeshëm dhe me pritje të mrekullueshme
Portieri kosovar, Aro Muric, me paraqitjen e tij ishte vendimtar pse skuadra e Adana Demirspor doli me një pikë dhe nuk e humbi ndeshjen e luajtur dje ndaj Hatayaspor. Muric ishte i hatashëm në çdo parametër të lojës. Në raport me konsistencën e treguar gjatë lojës, kontributin në arritje të rezultatit të skuadrës, Aro Muric ishte dardani i javës.
Padyshim që ishin disa lojtarë të Kombëtares së Kosovës që gjatë fundjavës zhvilluan paraqitje të mira, ose shënuan gola (dikush edhe tej mase të bukur si në rastin e Zymer Bytyqit). Sido që të jetë, asnjëri më shumë sesa Aro Muric nuk pati ndikim kyç në pikët e arkëtuara me klubet respektive ku luajnë. Nga ky ekuacion përjashtohet Hadërgjonaj, sepse e vërtetë që shënoi në çastet e fundit për t'ia dhënë tre pikët ekipit të Kasimpasa, por ai gol erdhi nga pika e bardhë e penaltisë dhe në tërësi mbrojtësi i djathtë dardan nuk është se pati një paraqitje tërësisht pozitive, hiç atë episod [të penaltisë]. E njëjta pak a shumë do të vlente edhe për Zymer Bytyqin, i cili gjatë ndeshjes hasi në vështirësi të përfshihej në aksionet sulmuese për ta bërë dallimin. Shënoi një gol dehës, por ai nuk pati impakt të drejtpërdrejt në fitoren e Konyaspor, pasi ata veçse ishin duke dominuar dhe fituar, para se Zymeri ta shënonte atë gol. Pra, loja veçse e kishte marrë kahjen e saj.
Si përfundim, nëse bëhet një analizë gjakftohtë, ata që kanë mundur t'i shikojnë ndeshjet s'kanë se si të mos i japin vlerësim meritor paraqitjes së mbrëmshme të Aro Muric, i cili ishte konsitent nga minuta e parë e deri në fund.
Veçohet Aro Muric edhe për shkak të disa parametrave që i pati mbi nivelin e zakonshëm. Si për shembull, daljet e sakta. Dje e lexoi me sukses të plotë çdo harkim të kundërshtarëve, duke dalur nga zona e ngushtë e tij të portës për ta kapur topin. Në çdo rast bëri mirë llogaritë dhe i ndihmoi ekipit që të mos haste fare në rrezik nga harkimet e kundërshtarëve. Ai madje ishte edhe një hap para bashkëlojtarëve të tij mbrojtës.
Kushdo që e ka ndjekur me kujdes evoluimin e tij nga afër, duke ia parë paraqitjet drejtpërdrejt, ka mundur të vërejë disa përmirësime, të cilat u vënë në dukje edhe dje. Tani, mund ta kuptoj paksa që dikush mund të bëjë paralele me paraqitjen e fundit që pati me Kombëtaren e Kosovës, ku për shkak një dalje të tij jo të pjekur, Kosova pësoi golin e barazimit që shënoi Lotomba.
Kjo s'mund ta zhbëjë faktin që portieri 23-vjeçar po shënon rritje cilësore çdo ditë e më shumë në nivel klubi. Dje daljet e sakta i kishte të 100%-ta, ndërsa në minutën e 51-të bëri një pritje magjepse, ku nga një penalti në lëvizje në pozitë qëndrore që ndodhej sulmuesi anësor i Hatayspor, El Kaabi, Aro arriti që të zgjatet për ta devijuar topin. I gjithë stadiumi u gjend me tifozët që vendosen duart mbi kokë.
Aro këtë sezon ka një mesatare prej 1,27 super pritjeve për ndeshje, ndryshe nga sezoni i kaluar që kishte 0,92. Në të gjitha parametrat ka shënuar progres gjatë këtij edicioni, në përjashtim të pasimeve të gjata, ku mesataren këtë vit e ka 9 për ndeshje, kurse gjatë sezonit të kaluar e kishte 14. Për pjesën tjetër, në të gjitha elementet ka shënuar rritje, siç patëm mundësi t'i shohim edhe dje.
Përgjithësisht ardhja e trajnerit italian Montella ka bërë që Aro të prosperojë në shumë segmente. Efektet e tilla po vihen në pah kur po luhen ndeshjet e kampionatit turk. Tifozët e Kosovës janë shpresëplotë që do ta reflektojë të njëjtën formë edhe në kombëtare.