Armend Thaqi – dukshëm futbollisti më i mirë i vitit 2022
Ka kaluar edhe një tjetër vit në futbollin kosovar, me mbrojtësin e Ballkanit, Armend Thaqi që ishte më i miri. Por në vitin 2022 ai ishte dukshëm më i mirë se të tjerët.
Ish-kapiteni i Prishtinës vazhdon të dominojë në Superligën e Kosovës, derisa edicioni 2021/22 ishte ndoshta më i miri në karrierë për të.
Fillimisht, Thaqi ndihmoi Ballkanin ta fitojë titullin e Superligës së Kosovës - i pari në histori për klubin suharekas - e pastaj edhe ta shkruajë historinë duke u bërë skuadra e pare kosovare që siguron pjesëmarrjen në një garë evropiane – Ligën e Konferencës.
Thaqi ishte vendimtar si në kualifikime për garën e kategorisë së tretë evropiane, ashtu edhe në fazën grupore, ku Ballkani ishte në lojë për ta kaluar grupin deri në xhirot e fundit.

Brenda 33 paraqitjeve në kampionatin vendor, Thaqi kontriboui me katër gola dhe 10 asistime duke zhvilluar plot 2 mijë e 792 minuta në fushë. Kjo gjithashtu atë e bëri lojtarin e tretë te Ballkani me më së shumti minuta të luajtura në Superligë, vetëm pas Stivi Frashërit (2 mijë e 880) dhe qendërmbrojtësit Rrustem Hoxha (2 mijë e 880).
Jo vetëm në aspektin defansiv, por Thaqi ishte i jashtëzakonshëm edhe në ofensivë duke ndihmuar në krijimin e disa aksioneve të shpejta, ku përmes harkimeve shkaktonte probleme të mëdha për kundërshtarët.
Pas kësaj, e ardhmja e tij ishte e pasigurt me skuadrat si Drita dhe Gjilani që kërkonin shërbimet e tij, kjo e fundit ishte shumë pranë. Edhe vetë lojtari tutje i kishte konfirmuar negociatat, por pastaj duke qenë që Ballkani mori pjesë në garat evropiane bëri që të ndryshojë mendje.
Vendim ky në fakt që doli të jetë më i duhuri, pasi Thaqi dëshmoi kualitetin edhe në ndeshjet evropiane, e nëse shohim situatën e Gjilanit nuk është e mirë me futbollistë të shumtë që priten të ndjekin rrugën e Zekirija Ramadanit dhe të largohen gjatë janarit.
Sidoqoftë, rikthehemi te Thaqi. Mbrojtësi i krahut të djathtë pastaj tregoi kualitetin në garat evropiane, ku zhvilloi 14 paraqitje (përfshirë ndeshjet kualifikuese dhe fazën e grupeve), duke gjetur rrugën drejtë rrjetës tre herë, si dhe kontribuar me gjashtë asistime.

Kështu, falë një edicioni fantastik – Thaqi fitoi çmimin e futbollistit më të mirë në Kosovë për këtë vit, shpërblim që e mori nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK).
Forma e lartë po vazhdon edhe këtë edicion në Superligën e Kosovës, me Thaqin që nën urdhrat e Ilir Dajës ka zhvilluar 18 paraqitje, duke shënuar tre gola dhe dhuruar pesë asistime.
Kështu, nuk do të ishte befasi nëse Thaqi të largohet nga Ballkani gjatë këtij afati kalimtar të janarit, me disa klube të mëdha që kanë shprehur interesim, përfshirë CFR Cluj dhe klubet nga Superliga e Turqisë, gjë që konfirmojnë burimet e Gazetës Nacionale pranë klubit.


