Armend Alidemaj i përgjigjet akuzave të Bunjakit: Asnjëherë nuk më ka telefonuar, kurrë s’kam qenë agjent i Medon Berishës
“Scouti” Armend Alidemaj thotë se asnjëherë nuk është kontaktuar nga ish përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki dhe që nuk e ka menaxhuar kurrë Medon Berishën, gjatë një bisede për gazetën Nacionale.
Medon Berisha ishte befasia e fundit te Kosova U21, ku e ‘braktisi’ fanellën ‘dardane’ që t’i bashkohet Shqipërisë U21, tek e cila u zyrtarizua disa orë më parë.
Sidoqoftë, pas largimit të Berishës, ish përzgjedhësi i Kosovës dhe U21-shave, Albert Bunjaki ‘akuzoi’ Armend Alidemajn se po bënte lojë të dyfishtë duke ofruar lojtarë tek të dy Federatat.
Mirëpo, ky i fundit në një bisedë për Nacionalen thotë të kundërtën. Duke theksuar se kurrë nuk ka biseduar me Bunjakin për Berishën, ngase ky i fundit asnjëherë nuk e kishte telefonuar, pavarësisht deklaratës së tij të fundit.
"Nuk është e vërtetë që Albert Bunjaki ka biseduar me mua për Medon Berishën. Me Albertin kemi biseduar kur unë isha në Itali gjatë "Eliteround 17" dhe biseda ka qenë për një lojtar tjetër. Me atë, unë s'kam pasur fare kontakt në telefonin tim apo anasjelltas, ai asnjëherë nuk më ka kontaktuar".
Bunjaki e ‘akuzoi’ Alidemajn se ishte menaxher i Berishës, mirëpo ky i fundit deklaron se asnjëherë nuk e ka pasur klient dhe që ai është nën menaxhimin e Liansport, apo ndryshe Fali Ramadanit.
"Për Medonin, unë kam biseduar me Zgjim Sojevën dhe Isa Sadriun. Medoni ka pasur ftesë nga FFSH në U19 dhe luajti në lojë miqësore, pra FSHF ka nisur punën për të para FFK-së. Unë kam punuar që Medoni të ftohet nga FFK bashkë me Zgjimin dhe as që isha agjenti i tij. Agjenti i tij është në Liamsport, ku pronar është Fali Ramadani, kjo shihet edhe në 'Transfermarkt'. Si është e mundur që unë ta bëjë transferimin, kur as nuk jam pjesë e asaj firme dhe punoj tjetër kund".

Alidemaj tutje tregoi punën që ka bërë për FFK-në, ku ka pruar mbi 35 lojtarë nga Zvicra.
"FFK është mësuar që agjentët e ndryshëm t'i prezantojnë vetëm lojtarët që ata i menaxhojnë. Unë punoj gati që katër vite për FFK-në në Zvicër, më shumë dëshirë e pa të ardhura. Dua të theksoj që këto katër vite kam vëzhguar lojtarë anekënd Zvicrës me harxhimet e mia personale, kam organizuar kampe disa herë ku FFK i ka mbuluar harxhimet e kampit. Nga puna ime, kanë gjetur rrugën mbi 35 lojtarë te FFK, ku dy prej tyre ishin nën menaxhimin tim".

I pyetur nëse ka biseduar më me Bunjakin, ai u shpreh se i ka dhënë kohë tre ditë që ta demantojë deklaratën tij duke i dërguar fakte, por që ky i fundit nuk ka bërë asnjë lëvizje.
"Unë me asnjë zyrtar apo ndonjë ndërmjetësues që punon në FFK kurrë nuk kam pasur kontakt. FFK-ja nuk është fajtore që aty ka persona që pa asnjë fakt dalin e flasin në gazeta pa pikë baze. Z.Bunjaki nëse do të ishte profesional shumë lehtë mund ta zgjidhte situatën. Së pari të shikonte ku është i regjistruar Medoni dhe të më kontaktonte mua. Unë në datën 14.09.2022 kam kontaktuar pasi e pashë intervistën e tij dhe i dërgova fakte që ku Medoni është në menaxhim dhe i tregova se ku unë jam i angazhuar".
"Ai më tha se do flasim në telefon, por nuk pranova dhe i thashë që do të pres tre ditë që ta demanton intervistën që e dha dhe që atëherë nuk kam marrë asnjë përgjigje nga ai".

Në fund, Alidemaj shtoi se Bunjaki është munduar t’ia hedh fajin duke u munduar t’i mbulojë gabimet e tij.
"Kam organizuar disa takime me lojtarë që jetojnë në Zvicër me krerët e FFK-së, jo një por disa herë. Po të ishte siç thotë Bunjaki, pse të harxhoj unë energjinë që të mundohem për FFK-në? Ai as nuk e dinë sa kam investuar, kohë, mund dhe harxhime personale e ai del nëpër media t'i mbuloj gabimet e tij duke i përfaqësuar të tjerët, është e rëndë ti thuash vetvetes që kam gabuar", përfundoi ai për Nacionalen.
Kujtojmë, gjatë ditës së premte ishte vetë babai i Medonit, Bajrami, që konfirmoi se lojtari iu bashkua me vetë dëshirë Shqipërisë, duke mos treguar ndonjë arsye specifike.
