Ankthi i betejës për mbijetesë vazhdon me javën e parafundit në Superligë
Superliga e Kosovës luan sot javën e parafundit të edicionit 2021/2022. Me ekipet që ndajnë kreun e tabelës që kanë konsoliduar pozitat respektive, gara ka mbetur e koncentruar për zonën e mbijetesës. Drenica, Malisheva dhe Dukagjini vijojnë që ta parakalojnë njëra-tjetrën javë pas jave. Pjesa tjetër luhet vetëm për formalitet.
Pesë ndeshje, por shumë pak emocion garues. Ashtu siç është parë gjatë javëve të fundit, kampionati ynë vendor në futboll, në një pjesë të madhe ka hyrë në fazën e saj më të gërrditshme, pasi ekipet e kreut të tabelës ndërmarrin vendime të çuditshme, si ato me pretekstin e "ruajtjes së lojtarëve" - ndonëse kjo disa javë para ndeshjes finales.
Kësisoj, vetëm zona për mbijetesë akoma po sjell tërheqjen për t'i parë ndeshjet e mbetura në Superligë. Dy skuadrat që kanë rënë nga kategoria tashmë veç dihen: Ulpiana dhe Feronikeli. Njashtu, siç dihet fituesi i kampionatit (Ballkani) dhe tre skuadrat tjera që do të dalin në Evropë (Gjilani, Drita dhe Llapi).
Si rrjedhojë, ndeshjet Drenica : Ballkani, Dukagjini : Llapi dhe Gjilani : Malisheva, do të jenë në fokusin kryesor për të parë se si do të marrë pamje renditja tabelare për pozitën e 10-të, e cila të shpie në ndeshjen e barazhit me njëren prej skuadrave të Ligës së Parë.
Në rrethana normale, Prishtina : Drita ka qenë dashur të ishte ndeshja që do të ngërthente emocionet e javës, por rehatia në pozitën tabelare që e kanë gjilanasit dhe problemet e panumërta organizative që po i shoqërojnë prishtinasit, bëjnë që kjo ndeshje derbi të jetë më e zbehtë si asnjëherë më parë.
Një tjetër që ndeshje që nuk premton shumë, është ajo mes Ulpianës dhe Feronikelit, të cilat do t'i luajnë 180 minutat e fundit në Superligë, para se të kalojnë në Ligën e Parë.
Lufta e barazhit
Dukagjini : Llapi
Llapi në disa ndeshje po arsyetohet që po i ruan energjitë për finalen e Kupës së Kosovës ndaj Dritës. Sot, klinasit shpresojnë në një fitore, e cila në rast të ndonjë hapi fals të Drenicës, do të mund t'jua siguronte mbijetesën atyre një javë para përfundimit të kampionatit. Distanca me zonën e kuqe të barazhit, ku renditet Drenica, është dy pikë larg.
Gjilani : Malisheva
Gjilani në javët e fundit ka treguar luhatje të formës në kampionat, por pjesëmarrjen në kupat evropiane e ka të garantuar. Në anën tjetër, Malisheva pas fitores në Therandë ndaj Ballkanit dhe barazimit ndaj Drenicës si vendas, tani po shpreson në ruajtjen e pozitës së 9-të, e cila garanton qëndrimin në ligë. Skuadra e Arsim Thaqi ndan pikët e njëjta me Drenicën.
Drenica : Ballkani
Kampioni i edicionit të sivjem, Ballkani, në javët e fundit ka lëshuar "gazin", pasi nuk po luan me të njëjtin motiv. Kjo ndoshta mund të jetë një ogur për Drenicën që të shpresojë në pikët e plota, në një përballje që në çdo skenar tjetër mund të quhej delikate.
Aq më tepër kur Ballkani i ka fituar të tri ndeshjet direkte ndaj ekipit drenicas në këtë sezon.