Andin Lokaj largohet nga RTK: Përjeto edhe njëherë të rrëqethurat me 'ekstazën' e tij në ndeshjen Serbi-Zvicër
Komentatori ikonik, Andin Lokaj ka ndarë rrugët me Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Lajmi u konfirmua nga vetë Lokaj me një postim në llogarinë e tij në Facebook.
Postimi i tij më poshtë, pa ndërhyrje:
"Të nderuar dhe të rrespektuar, këto ishin emocionet e mia të fundit pas 5 vjetësh në RTK.
Më nuk do të jem pjesë e televizionit publik.
Ju dua dhe rrespekte"
Postimit ai ia ka bashkangjitur një video nga TikTok, teksa komenton ndeshjen e tij të fundit, Marok-Portugali.
Në pamje shihet goli i Nezirit kundër Portugalisë, derisa Lokaj "humb kokën" në komentim, duke shprehur ngazëllimin e tij për golin.
Me shumë gjasë, rol mund të ketë luajtur këtu edhe fakti se ai është fans i flaktë i Leo Messit dhe eleminimi i Cristiano Ronaldos, duhet të ketë qenë asgjë tjetër veç lajm i mirë për të. Por, kush e di me të vërtetë, ndoshta ky është vetëm një supozim.
Sidoqoftë, një prej momenteve më mbamendëse dhe ikonike të Lokajt, me të cilin është e pamundur ta ndajmë sa herë dëgjojmë emrin e tij - përkundër një bagazhi të bujshëm të komentimeve nga paslufta e këndej - është "ekstaza" e tij e pastër pas golit të Xherdan Shaqirit në ndeshjen Serbi-Zvicër të Kupës së Botës më 2018.
Ndeshja u luajt më 22 qershor të vitit 2018. Po, atëherë kur Kupa e Botës luhej gjatë verës.
Ndeshja e Grupit E, ku po luanin Granit Xhaka e Shaqiri, po shënonte minutën e 90 - me rezultatin 1-1 - kur Shaqa u shërbye me një top nga brendësia e zonës, për ta gjetur veten në kundërsulm një me një kundër portierit.
Dhe, natyrisht, ai shënoi për ta "fundosur" Serbinë për të nxitur një episod absolutisht çmendurie të Lokajt dhe çdo shqiptari që po shikonte.
"Shaqiriiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiii", brohoritë ai, derisa topi prek rrjetën. I-ja e zgjatur ke dyshimin se do t'i shkaktojë probleme shëndetësore nga e bërtitura absolutisht e çmendur.
Shikoni momentin më poshtë.
Përndryshe, Lokaj më herët ka punuar në televizione si KTV, ku komentonte ndeshjet e Serie A dhe Digitalb.
Nacionale ka kontaktuar me Lokajn për të marrë një verdikt më të detajuar nga largimi i tij por, deri tash ai ka qenë i paqasshëm.
