Ancelotti: Nuk është problemi që Bellingham nuk po shënon
Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka thënë se nuk shqetësohet aspak që Jude Bellingham nuk po shënon gola si në sezonin e kaluar.
Bellingham nuk e ka gjetur ende rrjetën në sezonin 2024-25, pasi shënoi 23 herë në të gjitha garat në sezonin e tij të parë me Real Madridin. Megjithatë, Ancelotti dukej i pashqetësuar nga mungesa e golave të lojtarit të tij, pasi ai vuri në dukje rolin e vërtetë të anglezit në ekip.

Duke folur për gazetarët, trajneri italian tha: "Jemi të kënaqur me punën e tij, jam shumë i kënaqur. Ai punon shumë, është gjithmonë i pranishëm, konkurron, lufton, sakrifikon veten. Është e vërtetë që nuk ka shënuar golat që shënoi vitin e kaluar, por befasia nuk është këtë vit, befasia ishte vitin e kaluar, kur ai shënoi shumë gola që askush nuk i priste dhe na ndihmuan shumë. Problemi këtë vit nuk është se na mungojnë ato gola të Bellinghamit. Ne kemi shënuar gjithmonë gola dhe do të shënojmë gjithmonë, sepse kemi lojtarë të talentuar përpara. Për ne, në këtë moment, puna që ai po bën është më e rëndësishme se golat e shënuar vitin e kaluar."

Ancelotti gjithashtu u hodh në mbrojtje të Mbappes kur u pyet për mungesën e përfshirjes së sulmuesit francez në lojën e përgjithshme. Mbappe ka shënuar tetë gola në 12 paraqitjet e tij të para për Realin, por është kritikuar për paraqitjet e tij.
"[Unë i kërkoj atij] të shënojë gola. Unë preferoj që ai të shënojë gola sesa të bëjë presion," tha Ancelotti. "Roli i qendërsulmuesit nuk ka ndryshuar për ne, i kërkoj të njëjtën gjë Mbappes që i kërkova Karim [Benzema], të jetë gati kur ta fitojmë topin dhe të përpiqemi të bëjmë një tranzicion të shpejtë”.
Trajneri i Realit shtoi për gjendjen aktuale të skuadrës së tij: "Ne nuk jemi 100%, natyrisht. Ne kemi marrë rezultate të mira, por duhet të përmirësohemi në aspektin e lojës sonë, dhe pak nga pak, ne do përmirësohemi. Ne duhet të mbrohemi më mirë, siç bëmë vitin e kaluar, tani skuadra është më pak solide dhe ne jemi duke punuar për këtë."
Kampioni në fuqi i La Ligës, Real Madrid do të rikthehet në fushë të martën (sot) teksa do të përballet me Borussia Dortmundin në një përballje të Ligës së Kampionëve në Santiago Bernabeu, me Mbappe dhe Bellingham të dy në radhë për të luajtur nga minuta e parë.