Ancelotti kritikon formatin e ri të Ligës së Kampionëve
Trajneri i Real Madridit Carlo Ancelotti ka kritikuar formatin e ri të Ligës së Kampionëve shkaku i ndeshjeve të shtuara.
UEFA e ndryshoi komplet formatin këtë sezon, duke “fshirë” fazën e grupeve, për të krijuar një fazë të ligës, ku i shtuan ndeshjet nga gjashtë në tetë.
“Shumë ndeshje”, ishte përgjigja e shpejtë e Ancelottit të mërkurën kur u pyet nga gazetarët për fazën e ligës.
“Ka pasur shumë ndeshje, por për të gjithë. Këtë moment, në futboll ne duhet t’i largojmë disa ndeshje, jo të shtojmë. Ky është mendimi im”.
Real Madridi nuk arriti të kualifikohet direkt në 1/8 e finales, ndërsa kundërshtarin do ta mësojë në play-off të premten.
Madrilenët i dinë kundërshtarët e mundshëm meqenëse mund të kenë punë me Celticun ose Manchester Cityn.
Ancelotti gjithashtu shtoi se nuk e preferon Cityn në play-off, shkaku që mbesin skuadër e vështirë për t’u përballur, pavarësisht formës që po kalojnë.