Ancelotti: E vështirë të vendosi se kush luan ndaj Barcelonës
Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti thotë se është vështirë për të vendosur se cilët futbollistë t'i vë në formacionin bazë ndaj Barcelonës.
Real Madrid triumfoi bindshëm ndaj Real Valladolidit me rezultat 6:0, derisa në ndeshjen e radhës përballet me Barcelonën në "Camp Nou" sa i përket Kupës së Mbretit, me ndeshjen e parë që e kanë humbur me rezultat minimal 0:1.
Pas fitores së sotme, Ancelotti foli për nivelin e lartë që po kalojnë sulmuesit.
"Rodrygo është në formë të mirë. Është e vështirë të krijojë formacionin për të mërkurën. Nuk do jetë ndeshje normale sepse jemi në disavantazh dhe duhet të bëjmë diçka. Mund të jetë ndeshje 120 minutëshe".
"E nisëm me 4-4-2 pastaj ndryshuam pozitën e Rodrygos, në mënyrë që Asensio të jetë më i lirë. Varet nga sistemi i kundërshtarit. Në pjesën e parë ishte më mirë që Rodrygo të qëndronte më jashtë sepse kishin vështirësi për t'u mbrojtur nga krahët dhe pastaj Asensio pati më shumë liri".
Eden Hazard pas më shumë se 200 ditëve u inkuadrua në fushë, kur fillimisht u fishkëllye nga tifozët mirëpo pastaj asistoi te goli i gjashtë.
"Po i dëgjova (fishkëllimat e tifozëve). Eden ka stërvitur mirë këtë pushim. Ai ka luajtur shumë pak, por ka bërë mirë dhe ka dhuruar një asistim. Të stërvitet mirë, ndoshta do të ketë mundësi".
Tekniku italian konfirmoi se do të qëndrojë në "Santiago Bernabeu" për sa kohë që klubi madrilen t'ia vazhdojë kontratën.
"Kontrata ime skadon në vitin 2024 dhe ideja është që ta përfundoj deri në fund. Nëse Real Madrid është i lumtur me mua pastaj, atëherë deri më 2034".
“Nga tani, fokusi ynë është vetëm te ndeshja e të mërkurës ndaj Barcelonës”.
