Allegri tallet me Pogban pasi e dënoi: Sonte erdhi me kohë për ta shikuar lojën
Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, është tallur me mesfushorin Paul Pogba, duke thënë se francezi kishte shkuar me kohë për ta shikuar nga tribunat ndeshjen kundër Freiburut në Ligën e Evropës, pasi ishte lënë jashtë skuadrës nga ai.
Por trajneri italian konfirmoi se Pogba do të jetë pjesë e Juventusit për takimin me Sampdorian në Serie A të dielën.
Allegri e kishte lënë Pogban jashtë skuadrës për ndeshjen e parë të një të tetës së finales në Ligën e Evropës të enjten, të cilën bardhezinjtë e fituan 1:0, pasi kishte shkuar me vonesë në stërvitje një ditë më herët.
Duke folur pas fitores kundër ekipit gjerman, Allegri tha: “Mendoj se Pogba erdhi në kohë sonte, prandaj ai do të jetë në dispozicion nga nesër”.
Përfaqësuesi i Francës Pogba sapo është rikthyer nga një lëndim që e kishte pësuar në gju në verë, duke i bërë dy paraqitjet e para që prej se u rikthye në klubin e Serie A nga Manchester Unitedi.
Megjithatë, ai mungoi për Juventusin në ndeshjen e parë të një të tetës së finales kundër klubit gjerman, pasi ishte vonuar në stërvitjen e së mërkurës.

Pogba iu ribashkua Juventusit si lojtar i lirë në korrik, duke nënshkruar marrëveshje katërvjeçare.
Juventusi është duke e përjetuar një sezon shumë të dobët sivjet. Bardhezinjtë ranë në Ligën e Evropës pasi përfunduan në vendin e tretë në grupin e tyre në Ligën e Kampionëve, pas Benficas dhe Paris Saint-Germainit.
Për të arritur në rrethin e 16 më të mirëve, skuadra e Massimiliano Allegrit e mundi Nantes.
Në Serie A, Juventusi renditet në vendin e shtatë, pasi u dënua me heqjen e 15 pikëve, duke rrezikuar seriozisht të mbetet jashtë garave evropiane sezonin e ardhshëm.
Megjithatë, Juve është në gjysmëfinale të Kupës së Italisë.
