Allegri: Pogbas i duhet ende kohë, çmenduri nëse e përshpejtojmë rikuperimin e tij
Max Allegri ka folur në prag të ndeshjes që do ta luajë ekipi i tij kundër Empolit nesër në kuadër të javës së 11-të të kampionatit. Trajneri italian komentoi edhe gjendjen fizike të lojtarëve, ku nuk la pa përmendur Paul Pogban.
Fitorja me meritë e javës së kaluar ndaj Torinos i ka dhënë një shkundje ekipit të Juventusit. Max Allegri tani dëshiron ta shohë skuadrën të paraqitet më me tepër vendosmëri në ndeshjet e mbetura të Serie A para pauzës për Kupën e Botës.
Një nga lojtarët që i ka munguar shumë skuadrës në këtë interval kohor është Paul Pogba. Mesfushori francez është rikthyer te Juventusi, por akoma nuk ka mundur të luajë qoftë edhe në një ndeshje të vetme zyrtare, për shkak të lëndimit të rëndë muskulor që pësoi gjatë verës në fazën parapërgatitore.
Allegri tregoi se në çfarë faze të rikuperimit gjendet Pogba: “Edhe unë do dëshiroja ta kisha në gatishmëri. Do dëshiroja ta kisha tërë ekipin në gjendje të luajë. Sa i përket atij (Pogbas), ka marrë pjesë në disa gjëra të vogla me skuadrën. Mos të harrojmë që nga 23 korriku nuk bën qoftë edhe një stërvitje serioze. Duhet t’i jepet kohë. Të përshpejtohet rikuperimi i tij për të luajtur para kohës në një ndeshje do të ishte një çmenduri e llojit të vet.”

Juventus për momentin zë pozitën e 8-t në renditjen tabelore me 16 pikë të grumbulluara. Ndeshja e nesërme do të jetë një mundësi e mirë për të hyrë në një seri fitoresh në kampionat.
Pogba në pritje për t’i bërë për vete sërish tifozët e Juventusit
Paul Pogba ishte në radhët e Manchester Unitedit për gjashtë vjet. Aty shënoi 29 gola në 154 paraqitje, por përgjithësisht epoka e tij te “djajtë e kuq” u shënua me shumë kontestime dhe kritika, ku shigjetohej nga të gjitha anët për shkak të paraqitjeve të dobëta.
Kalimi i tij në “Old Trafford” vinte në verën e vitit 2016 për afro 100 milionë euro. Shifër rekord nëse flasim për çmimet që ishin në atë vit.
Për mesfushorin francez ky ishte një rikthim te shtëpia e vjetër, pasi te Manchester Unitedi ishte zhvilluar si lojtar në akademinë e klubit.
Një karrierë tranziti mes Manchesterit dhe Torinos, ku Pogba ka defiluar sa në njërën anë, sa në tjetrën. Mirëpo paraqitjet e tij më të mira që mbahen mend nga ndjekësit e futbollit janë pikërisht ato me Juventusin në harkun kohor 2012-2016, ku fitoi një seri trofesh, në përjashtim të Ligës së Kampionëve. Kësaj të fundit iu afrua shumë në edicionin 2014/2015, por në finale u mposht nga Barcelona.
Tani ai mezi pret që të rikthehet edhe një her të luajë para publikut torinez. Aty ku është mësuar të jetë vetvetja dhe të përformojë në nivelin më të lartë të mundur.
Duhet thënë që në vitet e fundit Pogba ka humbur një seri ndeshjes për shkak të lëndimeve të kohëpaskohshme.

