Paul Pogba nën mbrojtje të policisë, pas kërcënimeve nga grupi kriminal - NACIONALE

Paul Pogba nën mbrojtje të policisë, pas kërcënimeve nga grupi kriminal

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Mesfushori i Juventusit, Paul Pogba, është duke u mbrojtur nga policia, pas kërcënimeve dhe shantazheve që i mori nga një grup i organizuar kriminal, sipas mediave franceze.

Pogba është nën mbrojtjen e policisë në Torino, ku jeton tani pas kthimit në Juventus nga Manchester Unitedi gjatë kësaj vere.

Lajmi është konfirmuar nga një përfaqësuesi i tij, sipas gazetës franceze Le Parisien.

Përfaqësuesi i Francës ishte viktimë e tentimeve të dhunshme për zhvatje dhe ka ndërmarrë veprime ligjore kundër një grupi të organizuar, përfshirë kundër vëllait të vet Mathias Pogba, i cili ndodhet në paraburgim në Francë.

Mathias, njëri prej tre vëllezërve Pogba, e publikoi një video në Instagram në fillim të shtatorit, ku tha se do të bënte disa zbulime tronditëse për yllin e Juventusit.

Raportohet se Pogba i kishte thënë policisë franceze në mars se po kërcënohej nga një grup i organizuar kriminal, i cili ia kishte vjedhur një kartelë bankare, 300 euro dhe i kishte kërkuar 13 milionë euro nga ai.

Fituesi i Kupës së Botës me Francën kishte thënë po ashtu se ishte tërhequr zvarrë në një apartament në Francë, ku ishte akuzuar se nuk i kishte ndihmuar financiarisht miqtë e vet që prej se ishte bërë yll futbolli.

Raportohet se Pogba ishte kërcënuar me armë zjarri dhe ishte ndjekur nga anëtarë të grupit kriminal në qendrën stërvitore të Juventusit pas kthimit në Torino këtë verë.

Avokatët e Pogbas kanë konfirmuar se ai ka ndërmarrë tashmë veprime ligjore kundër vëllait të vet dhe ndaj një “grupi të organizuar kriminal” i cili e ka kërcënuar dhe frikësuar atë në muajt e fundit, në Francë dhe në qendrën stërvitore të Juventusit.

Ndërkohë, është hapur edhe një hetim ndaj grupit të organizuar kriminal për kërcënimet dhe shantazhet ndaj mesfushorit 29-vjeçar.

Lajme të ngjashme