Allegri: Na duhen 72 ose 73 pikë që të kualifikohemi për Ligën e Kampionëve
Trajneri i Juventusit, Max Allegri thotë se skuadra ka nevojë edhe për nëntë, respektivisht 10 pikë që ta sigurojë Ligën e Kampionëve.
Napoli tashmë është shpallur zyrtarisht kampion në Serie A, por gara për top katërshe është duke vazhduar, me gjashtë skuadra që po synojnë një pozitë në Ligën e Kampionëve.
“Zonja e Vjetër” momentalisht renditet e treta, por Allegri thotë se këtë javë do të mësohet saktësisht sa pikë do t’iu duhen që të sigurojnë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve.
“Juventusi është në dijeni të rëndësisë së ndeshjeve. Kane mbetur edhe pesë, sot dhe nesër janë disa përballje direkt dhe do të mësojmë më shumë rreth situatës së Ligës të Kampionëve”.
“Përpos momenteve ku kemi pasur vështirësi, skuadra po ia del mirë dhe po luftojmë. Duhet ta bëjmë nga një hap të vogël me kokë, të mendojmë për nesër dhe si do të qëndrojë. Pastaj do të fokusohemi në Ligën e Evropës”.
Ai komentoi pak ndeshjen ndaj Atalantas, duke përmendur si fakt se nuk kanë arritur fitore në gjashtë ndeshjet e fundit.
“Juventusi nuk e ka mposhtur Atalantan në gjashtë ndeshje, Atalanta ka tre fitore. Në shtëpi janë skuadër e fortë, me lojtarë fizikë. Sot dhe nesër pas ndeshjeve direkte do të mësojmë më shumë, sidomos me numra. E di vetëm që po mundohemi të fitojmë pikë që të përfundojmë në top katërshe”.
“Sot e kuptojmë nëse na duhen 72 ose 73 pikë që të kualifikohemi në Ligën e Kampionëve. Momentalisht na nevojiten 73, ka të bëjë me matematikë. Kemi gjasa të avancojmë edhe me 72 pikë, por varet nga rezultatet e sotme. Nuk do t’i them numrat sepse nuk dua të të mërzis”.
Juve momentalisht ka të mbledhura 63 pikë, derisa kanë mbetur edhe pesë xhiro të pazhvilluara.