Aleksander Ceferin: Anglezët na ndihmuan ta ndalnim Superligën, ndërsa italianët dhe spanjollët nuk bënë asgjë - NACIONALE

Aleksander Ceferin: Anglezët na ndihmuan ta ndalnim Superligën, ndërsa italianët dhe spanjollët nuk bënë asgjë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjatë prilli të vitit të kaluar, 12 klube të mëdha evropiane ishin bashkuar për ta shtyrë përpara një projekt të ri futbolli, i cili kishte për qëllim gjenerimin e më shumë fondeve dhe reformimin sipas tyre në futboll, ngaqë Liga e Kampionëve e tanishme u dukej e pamjaftueshme për t'i mbuluar shpenzimet vjetore që ato kanë. Po flasim për projektin e Superligës. Ai po aq shpejt e vrullshëm sa u proklamua, ashtu edhe mbaroi - pa lënë shenjë, duke perënduar për 24 orë, me klubet angleze që bënë prapakthim pas presioneve të platformave televizive, institucioneve shtetërore që kërcënonin me sanksione, si dhe protestave të tifozëve.

Mirëpo, deri më tani janë tre klube që akoma nuk janë dorëzuar dhe që po përpiqen që ta ideojnë një plan të ri rreth projektit të Superligës. Po flasim për Real Madridin, Juventusin dhe Barcelonën. Dy të parat janë të njohura edhe si nismëtaret kryesore.

Në lidhje me këtë është rikthyer të flasë i pari i shtëpisë evropiane të futbollit, Aleksander Ceferin.

"Ka mbaruar çështja e Superligës. Tani po mundohen t'i kënaqin paksa egotë e tyre, por kjo gjë nuk do të mund të jetë asnjëherë funksionale.

"Është e vërtetë që kampionatet ku luajnë Bayern dhe PSG nuk janë shumë konkurruese. Dominojnë vetëm ato dy klube. Në Itali ka më shumë garë mes klubeve, por ato janë dobëta financiarisht. Premierliga ka traditën më të madhe. Ka edhe më shumë para në qarkullim. Tifozët janë ndryshe prej Italisë. Kur ishim në betejë me Superligën, na dolën në ndihmë tifozët britanikë. Italianët dhe spanjollët nuk kanë bërë asgjë", shtoi ai.

Gjatë intervistës së bërë për gazetën e njohur kroate, Sportske Novosti, ai nuk ka dyshime se Liga e Kampionëve është kompeticione i duhur, i cili duhet mbështetur dhe që është kartolina më e mirë e futbollit.

"Patjetër që Liga e Kampionëve është kompeticioni i duhur. Ndeshja Manchester City : Real Madrid ka qenë reklama më e mirë e kësaj kupe. Bëhet fjalë për një botë tjetër", nënvizoi Ceferin.

Për fund ai është shprehur edhe rreth 'play off-it' me 'final four' në Ligën e Kampionëve.

"Një gjë e tillë ka qenë një ide e mirë, por do të humbisnim disa ndeshje në kalendar. Nuk do të kishim ndeshje vajtje-ardhje. Përveç kësaj, do të kishte më pak garë për blerjen e të drejtave televizive. Akoma është shumë herët për t'i ndarë idetë e reja me mediat, por ka plane të ndryshme", përfundoi Ceferin.

Aleksander Ceferin me profesion është avokat dhe drejtor slloven. Në periudhën 2011-2016 ai ka qenë kryetar i Federatës së Futbollit të Sllovenisë. Ndërsa, nga viti 2016 është zgjedhur në pozitën e kryetarit të UEFA-s, duke u bërë pasues i Michael Platini.

Ai në shkurt të 2019-ës u rizgjodh kryetar i UEFA-s, duke siguruar votat e mjaftueshme të delegatëve me të drejtë vote në kongresin e 43-të të institucionit evropian të futbollit. Pikërisht gjatë asaj dite, në fjalimin e tij ishte përkujdesur që t'i vendoste disa kontura, duke drejtuar gishtin nga Superliga, e cila, megjithatë, do të merrte formë dy vjet më vonë.

"Do të ishte e mërzitshme ta shikoje PSG : Juventus çdo javë. Sa të jemi unë dhe Andrea Agnelli në krye të organizatave që udhëheqim, nuk do të ketë asnjë Superligë evropiane. Kjo është gjë e kryer. Do ta vriste futbollin", deklarohej ai.

Por, gjatë rrugës Andrea Agnelli [presidenti i Juventus] ndryshoi rrugë, pasi u përafrua në qëndrime me Florentino Perezin [president i Real Madrid] dhe filluan ta strukturoin planin për Superligën. Diçka e tillë i acaroi raportet mes Ceferin dhe Agnelli. Nga ajo plasaritje kanë ndryshuar edhe drejtori dhe komisione përkatëse brenda UEFA-s. Pjesa tjetër është histori [e njohur]!

Lajme të ngjashme