Agjenti: Jose Mourinho s’e ka problem të gjejë klub të ri
Agjenti Jorge Mendes është i qetë mbi të ardhmen e trajnerit Jose Mourinho, derisa thuhet se do të takohet me drejtuesit e Napolit këtë javë.
60-vjeçari u shkarkua nga Roma javën e kaluar, pavarësisht që e fitoi Ligën e Konferencës në vitin e parë dhe arriti në finalen e Ligës së Evropës në vitin e dytë.
Mourinho ndërkohë nuk dëshiron të largohet nga Italia, pasi refuzoi ofertën e skuadrës arabe Al-Shabab, derisa pritet të mbajë një takim me presidentin e Napolit.
Sipas “Record”, Mendes ka qenë i qetë kur është diskutuar për të ardhmen e Mourinhos pas aventurës te Roma.
“Mourinho sigurisht nuk ka nevojë për prezantim. Titujt flasin për të, nuk është thjesht ndonjë trajner. Është trajner i veçantë, gjithmonë do të ketë mundësitë e tij dhe asnjëherë s’do të ketë problem që të gjej klub të ri”.
Ai gjithashtu konfirmoi se Mourinho e refuzoi ofertën luksoze nga Arabia Saudite që të vazhdojë me Romën në verën e kaluar.
“Është kështu, Mourinho e kishte shansin që të shkonte në Arabinë Saudite para pak muajve. Ai zgjodhi të mos shkonte për të vazhduar në stolin e Romës”, nënvizoi ai.
Shkarkimi i Mourinhos s’ka qenë i lehtë edhe për tifozët e Romës, që kanë krijuar banere në mbështetje të ish trajnerit.