Agim Ademi uron për lirinë e mediave, të cilave ua mbyll derën dhe s’i respekton
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i ka uruar mediat për Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Mediave të mërkurën, po ato të njëjta media të cilave ua mbylli dyert e shtëpisë së futbollit për dy çështjet me të rëndësishme të futbollit në 12 muajt e fundit.
Në një shkrim në llogarinë e vet personale në Facebook, Ademi – i cili po hetohet për korrupsion në federatë – foli për rëndësinë e lirisë së shtypit, të cilën viteve të fundit e ka shpërfillur skajshëm.
“Sot shënohet Dita Botërore e shtypit të lirë. Kjo ditë na rikujton se sa e rëndësishme është liria e shtypit dhe pavarësia e medies nga ndikimet e jashtme”, shkroi Ademi në Facebook.
FFK ka më shumë se një vit që nuk pranon të japë përgjigje apo të flasë për çfarëdo çështje rreth futbollit dhe punës së saj për një numër mediash në vend, përfshirë Gazetën Nacionale.
“Kosova, si një vend me traditë demokratike dhe liridashëse, ka pasur gjithmonë gazetarë të guximshëm e profesionistë, të cilët e kanë kryer me përkushtim misionin e tyre me qëllim të informimit të drejtë të shoqërisë”, shkroi ai, pavarësisht se në dy Kuvende të rëndësishme të FFK-së ai nuk i lejoi mediat t’i mbulonin nga afër.
Ai nuk i lejoi mediat të merrnin pjesë në Kuvendin Zgjedhor në maj të vitit të kaluar, ku ai u rizgjodh president për një mandat të dytë, duke ua mbyllur dyert e oborrit të objektit të federatës.
Në fillim të këtij vit, mediave iu refuzua edhe kërkesa për ta mbuluar nga afër Kuvendin e Jashtëzakonshëm ku u ndryshua Statuti i FFK-së
Një çështje tjetër e rëndësishme që i shqetëson gazetarët e sportit është edhe selektimi që FFK-ja e Ademit bën në procesin e akreditimit për mbulimin e ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës në Fadil Vokrri, duke i lënë jashtë gazetarët kritikë.
Ademi gjeti kohë edhe t’u japë mësim gazetarëve se si duhet të kenë parime në raportimet e tyre, në urimin e tij për lirinë e shprehjes.
“Gjithsesi liria e shtypit vjen me një përgjegjësi të madhe dhe objektivi kryesor duhet të jetë mbështetja e parimeve themelore të lirisë së shtypit dhe shmangia nga diskursi i të bërit "argat" i të keqes”, shtoi ai.
Ademi, 61 vjeç, u arrestua kah fundi i marsit dhe u mbajt në arrest shtëpiak pothuajse një muaj, para se të lirohej kah mesi i prillit derisa hetimi ndaj tij vazhdon.
Policia për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në bashkëpunim me Prokurorinë e Prishtinës janë duke i hetuar Ademin bashkë me disa zyrtarë të tjerë për korrupsion në shtëpinë e futbollit.
Ata dyshohen për dy vepra penale, “keqpërdorim të besimit” dhe “shmangie nga tatimi”.
Praktikisht, Ademi e ka kaluar pothuajse tërë kohën e tij në krye të FFK-së duke u përballur me akuza dhe gjykatë.


