Pak orë pa filluar Kuvendi, FFK-ja njofton për kohën e mbajtjes së tij, s’i lejon mediat sërish
Federata e Futbollit e Kosovës, FFK, ka njoftuar vetëm dy orë paraprakisht për orën e mbajtjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm, ku do të votohet një Statut i ri i dyshimtë i federatës, duke e dëshmuar mungesën e vazhdueshme të transparencën.
FFK-ja njoftoi në uebsajtin e vet se Kuvendi i Jashtëzakonshëm do të mbahet në orën 11:00 në selinë e federatës dhe se do të transmetohet në kanalin e vet zyrtar në YouTube.
Mediat nuk u lejuan të futen në selinë e FFK-së për ta përcjellë këtë proces të rëndësishëm.
“Sot në selinë e FFK-së, në orën 11:00, do të mbahet Kuvendi i Jashtëzakonshëm. Pikë e vetme e rendit të ditës do të jetë miratimi i Statutit dhe akteve tjera normative të nevojshme”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Ndaj draft-statutit që pritet të votohet sot ka pasur shumë kundërshtime dhe dyshime për shkelje flagrante ligjore.
Klubet më të mëdha të Superligës si Prishtina, Drita dhe Trepça ’89 kanë dalë haptazi kundër tij, duke bërë thirrje që ai të mos votohet.
Statuti i ri do ta amnistonte Agim Ademin dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv nga Kodi i vet i Etikës për katër vitet e ardhshme dhe t’ia shtojë pushtetin atyre skajshëm.
Po ashtu, nëse ky Statut miratohet, atëherë anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv do t’iu shtohen jashtëligjshëm dy vite në mandatin tyre.
Ata u zgjodhën më 2020, por Statuti i ri ua mundëson atyre të qëndrojnë në pozitë deri më 2026, pavarësisht se mandati është katërvjeçar.
Për më tepër, me Statutin e ri, FFK-ja synon që t’ua shlyejë presidentit dhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv mandatet e kaluara në vitin 2026, kur përfundon mandati i tretë i tyre, që nënkupton se ata do të mundë të zgjidhën përsëri edhe për tri mandate të tjera pas vitit 2026.
Ademi dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv do t’i kenë mbushur tri mandate në vitin 2026, që është maksimumi i lejuar me Statutin e tanishëm.
Kjo nuk do të ishte në përputhje me Statutin e FIFA-s, i cili nuk lejon më shumë se tri mandate katërvjeçare.
Kjo nuk do të ishte hera e parë që FFK-ja nuk i lejon mediat në Kuvendet e saj të Jashtëzakonshme, pasi në fillim të vitit 2022, ajo ua mbylli derën atyre gjatë punimeve për rizgjedhjen e Ademit në krye të shtëpisë së futbollit kosovar për edhe një mandat të ri katërvjeçar midis polemikave dhe dyshimeve.

