Afrim Tovërlani thotë se Arlind Rexhepi e ka refuzuar Kosovën
Arlind Rexhepi, është lojtari më i fundit që e ka refuzuar Kosovën për Shqipërinë, gjë që e ka konfirmuar edhe vetë përzgjedhësi i Kosovës U21 Afrim Tovërlani për Gazetën Nacionale.
Rexhepi e la Gjermaninë në muajin shtator duke iu bashkuar “Dardanëve” pasi mori ftesën e parë nga Tovërlani, ku edhe bëri një paraqitje.
Mirëpo, ditën e enjte, përzgjedhësi i Shqipërisë U20 Alban Bushi që vazhdon të jetë i etur pas kosovarëve e ftoi Rexhepin për dy ndeshjet e qershorit, me këtë të fundit që e pranoi ftesën.
Lidhur me këtë situatë, Nacionale ka kontaktuar përzgjedhësin Tovërlani që tregoi se Rexhepi s’ka qenë i interesuar që të marrë nënshtetësinë kosovare. Ai tregoi se lojtari i Hamburger SV II ka marrë ftesë edhe në muajin nëntor, por nuk është paraqitur.
“Ka qenë i ftuar edhe në ndeshjet e nëntorit, por s’ka ardhur. Është dashur t’i plotësojë dokumentat që të merr nënshtetësinë e Kosovës, mirëpo s’është lajmëruar”.
Tovërlani shtoi se ia kanë treguar të gjitha indikacionet lojtarit se çfarë duhet të bëjë për pasaportën kosovare, mirëpo ky i fundit s’ka shprehur interesim.
“Të gjitha indikacionet se çfarë duhet të bëjë që të marrë nënshtetësinë e Kosovës ia kemi treguar, mirëpo nuk ka ardhur. I priftë e mbara (te kombëtarja e Shqipërisë U20”, deklaroi ai.

Kësisoj, Rexhepi bëhet vetëm futbollisti i tretë në vitin e fundit që lë në “baltë” Kosovën për t’iu bashkuar grupmoshave të reja të “Kuq e Zinjve”.
Këtë rrugë e kishin ndjekur edhe dyshja Medon Berisha dhe Adrion Pajaziti në vitin 2022, derisa Edvin Kurulus kishte zgjedhur Suedinë para Kosovës.
Përndryshe, sulmuesi i krahut këtë edicion te Hamburger SV II ka zhvilluar plot 27 paraqitje, duke shënuar pesë gola dhe dhuruar shtatë asistime
