A do të jetë Ronaldo pjesë e Portugalisë? Trajneri i ri flet për planet e së ardhmes
Trajneri i ri i Portugalisë, Roberto Martinez, ka thënë se do të flasë me Cristiano Ronaldon, përpara se të marrë ndonjë vendim për të ardhmen e 37-vjeçarit me kombëtaren.
Pesë herë fituesi i Topit të Artë ka bërë 196 paraqitje për shtetin e tij, duke e ndihmuar drejt titullin të Kampionit Evropian dhe fitimit të Ligës së Kombeve. Ai ka shënuar plot 118 gola dhe është golashënuesi më i mirë në nivel kombëtaresh.

Perëndimi i karrierës së Ronaldos me Portugalinë nuk u pa vetëm si shkak i moshës. Falë paraqitjeve të dobëta, ai nuk startoi në asnjë ndeshje me kombëtaren në fazën e eliminimit direkt në Botërorin e Katarit, ndërsa në grupe në tri ndeshje shënoi vetëm një gol nga penallti.
Kjo formë e tij ka çuar në pikëpyetje të ardhmen e tij me kombëtare, duke parë që tani luan në një ligë shumë më të dobët.

Martinez gjatë prezantimit të tij si trajneri i ri i Portugalisë, u pyet se a është Ronaldo në planet e tij, teksa ai tha se vendimet do të merren në fushë.
"Vendimet duhet të merren në fushë. Nuk jam trajner që merr vendime të nxituara. Dua t'i takoj të gjithë, dhe duke filluar që sot dua të flas dhe të njoh të gjithë lojtarët. Cristiano është pjesë e asaj liste, ai kaloi 19 vite me kombëtaren dhe meriton respekt, le të flasim. Nga kjo pozitë, varet nga unë të bëj listën më të mirë për Kampionatin Evropian. Nesër do të fillojmë të punojmë, duke njohur të gjithë lojtarët dhe Cristiano është një prej tyre."

Martinez nuk ishte konkret për asnjë lojtarë, duke insistuar se dëshiron të fillojë procesin duke njohur dhe folur me të gjithë futbollistët në dispozicion : "Ne do të fillojmë një proces futbolli për të provuar të njohim të gjithë lojtarët që mund të jenë pjesë e kësaj përzgjedhjeje. Ne do t'u japim të gjithë lojtarëve një mundësi dhe do të respektojmë të gjithë ata që janë tashmë në përzgjedhje. Cristiano është një prej tyre. Ky është një proces me të cilin duhet të përballemi natyrshëm, dhe do të marrim vendime të rëndësishme për ekipin."
Portugalia u eliminua nga Kupa e Botës 2022 në fazën çerekfinale pasi pësoi një humbje shokuese ndaj Marokut dhe nuk do të ketë ndeshje deri në hapjen e fushatës kualifikuese të Euro 2024 kundër Lihtenshtajnit më 23 mars.

