Valon Zumberi tregim suksesi, drejt afirmimit në futbollin profesionist - NACIONALE

Valon Zumberi tregim suksesi, drejt afirmimit në futbollin profesionist

1 vit më parë

nga NACIONALE

Valon Zumberi ka qenë ndër talentët e paktë të Hamburg, për të cilët më së shumti është folur me lëvdata gjatë këtyre viteve. Trajneri i klubit gjerman i ka bërë vend në skuadrën e parë në fazën parapërgatitore.

Mbrojtësi preshevar, Valon Zumberi, ka qenë një tregues i mirë se si një lojtar duhet të sillet me profesionalizëm. Ndër të rrallët që e ka marrë me seriozitet maksimal çdo angazhim në tërë grupmoshat zinxhir të Kosovës, si dhe nga ata që ka vendosur të punojë heshturazi edhe në nivel klubesh, duke pritur rastin e tij.

Ashtu siç pati paralajmëruar gazeta Nacionale para një jave përmes burimeve të afërta familjare me lojtarin, Hamburg ka vendosur ta grumbullojë në fazën parapërgatitore verore, e cila nis nga nesër. Gjiganti gjerman këtë besim ua ka dhënë jo shumë lojtarëve të rinj. Vetëm katër lojtarët më të spikatur nga skuadra rezervë e saj janë ftuar për të ushtruar me skuadrën seniore.

Përveç ushtrimeve të përditshme, Hamburg do të luajë edhe ndeshje miqësore, ku më 29 qershor do të përballet ndaj Hajduk dhe më 1 korrik ndaj Aris.

Kjo do të jetë një nga përvojat e rralla të Zumberit, ku do ta sfidojë veten në futbollin profesionist, pasi është promovuar nga trajneri Tim Walter. Ai me skuadrën e të rinjve të Hamburgut ka pasur vazhdimësi të formës, me ç'rast ka treguar edhe një lidership në fazën e mbrojtjes, për çfarë edhe i është njohur merita.

Në të gjitha ndeshjet që janë regjistruar ku ai është paraqitur në kampionat dhe në sfida tjera gjatë sezonit që lëmë pas, vetëm në katër raste kishte qenë fajtor për golat e pësuar. Përkundër faktit që është qendërmbrojtës dhe është i ekspozuar më shumë se kushdo tjetër nga sulmet kundërshtare në një zonë kritike të fushës, ai ka treguar stabilitetin, qetësinë dhe zotësinë për t'u bërë ballë aksioneve sulmuese të kundërshtarëve.

Mbrojtësi 19-vjeç kosovar veçohet për leximin e mirë të situatave, pa rënë nën presion dhe pre e provokimeve të kundërshtarëve. Një fakt të tillë e dëshmojnë edhe kartonët e verdhë të cilët i ka pranuar në sezonin e shkuar, e që janë vetëm dy sosh. Një shifër thuajse jo relevante për një qendërmbrojtës.

Njësoj edhe te Kosova U21 ka shfaqur paraqitje të mira, anipse dyshja e qendërmbrojtjes nuk e kishte përkrahjen e duhur qoftë nga mbrojtësit e krahëve, ashtu edhe nga mesfushorët qëndrorë. Prapëseprapë, Valoni tregoi paraqitje të pëlqyeshme. Ai do të mund të jetë pjesë e Kombëtares së Kosovës në grupmoshën U21 edhe për një fushatë tjetër kualifikuese, e cila në rastin konkret nis nga pjesa e dytë e vitit të ardhshëm dhe vlen për Evropianin 2025. Mirëpo, varësisht nga progresi që do ta dëshmojë si futbollist në rëngun profesionist, do të merren edhe masat nëse është e duhur të vazhdojë me Kosovën U21 apo të promovohet në Kombëtaren A.

Zumberi, ashtu siç patëm raportuar një javë më parë, pritet të jetë edhe pjesë e skuadrës së parë të Hamburgut gjatë edicionit të ri, duke kaluar në futbollin senior në moshë 19-vjeçe, që përkon edhe me moshën mesatare ku lojtarët zakonisht bëjnë këtë hap në karrierë.

Sidoqoftë, shumëçka do të varet edhe nga negociatat mes klubit dhe agjentit të tij për rinovimin e kontratës, e cila skadon në qershor të vitit të ardhshëm. Varësisht nga dinamika e negociatave, do të vendoset edhe e ardhmja e lojtarit.

Lajme të ngjashme