Asistentja e një eurodeputeteje pro-Qeverisë së Kosovës që trajtohet si eksperte evropiane
Ka një etje të madhe në Kosovë për njerëz që e lavdërojnë kryeministrin Kurti. Ndonjëherë, s’është nevoja të jenë as njerëz. Mund të jenë edhe profile të rreme. Ndërkohë, etja për njerëz jashtë vendit që lavdërojnë Kurtin – pra, për ndërkombëtarë që e lavdërojnë Kurtin – është edhe më e madhe. Kjo e ka bërë të famshme në vend një asistente me emrin Federica Woelk.
Shihni këta tituj të gazetave kosovare: Express: Zyrtarja e Parlamentit Evropian: Të gjithë sytë kah Brukseli...; Arbëresh.info: Zyrtarja e PE-së: Albin Kurti ka plotësisht të drejtë; Bota Sot: Zyrtarja e PE-së: Albin Kurti ka plotësisht të drejtë; Sinjali: Zyrtarja e Parlamentit Evropian: Ndërmjetësuesit anojnë kah Serbia në dialog; Zyrtarja e PE-së: Në dialog, ndërmjetësuesit janë totalisht të anshëm kah Serbia.
Pra, siç po e shihni, Federica është dikushi në Kosovë. Ajo krijon opinion. Me shumë gjasë, plot e përplot njerëz e marrin si person tepër të rëndësishëm në instancat vendim-marrëse ndërkombëtare. Por, kush është kjo zonjë?
Ju ftojmë ta shikoni KËTË fotografi të Parlamentit Evropian. Ky Parlament i zë 704 deputetë. Pra, 705 vetë ulen në këto ulëse. Federica punon në këtë institucion. Por, Federica nuk ulet në asnjërën prej këtyre ulëseve. Ajo është njëra nga pesë asistentët e njërit nga këta 705 deputetë. Pra, është asistentja e deputetes Ulrike Muller. Nëse e shkruani në Google Ulrike Muller, s’do ta gjeni deputeten. Do ta gjeni një artiste. Duhet të fokusoheni shumë që ta gjeni Ulriken. Me aq sa kemi parë, Ulrikja deputete – që padyshim se do t’i ndihmonte shumë Kosovës – është krejt e painteresim për Kurtin e për Kosovën. S’merret me punët me të cilat merret asistentja e saj.
Në Internet nuk gjetëm të dhëna të vyeshme për znj. Federica. Asgjë hiç. Ajo thoshte në faqen e saj se kishte qenë një herë në Sarajevë dhe se aty kishte rënë në dashuri me Ballkanin.
Shiheni edhe një herë se pse po merremi me të. Qe çfarë ngazëllimi shpreh për ditëlindjen e Albin Kurtit së fundi: “Prit, çka? Albin Kurti e ka ditëlindjen sot, a?” Urime ditëlindjen për një prej politikanëve më të mirë në Ballkanin Perëndimor dhe pjesës së historisë së Kosovës!”
Ne i kishim disa dilema për Federican: Mos vallë nuk ishte thjesht një asistente?
Vendosëm që ta bëjmë një intervistë të shkurtër për ta kuptuar më mirë. E pyetëm edhe se me çka merrej. Këtë intervistë e keni më poshtë:
Nacionale:
A besoni që vendimi i fundit i Parlamentit Evropian do të dëmtojë përpjekjet e Kosovës që të integrojë më tej serbët në institucionet e saj?
Federica Woelk:
Po, plotësisht e dënoj kët ëvendim dhe mendoj se nuk do të integrojë serbët e Kosovës, por më shumë do t’i lejojë që ta distancojnë veten më tej nga qeveria e Kosovës. Dhe pikërisht ky ishte plani nga qeveria serbe dhe e vetmja arsye pse ata e shtynë me kaq forcë këtë gjë.
Nacionale:
Çka mendoni për kryeministrin Kurti dhe qasjen e tij në dialog me Serbinë deri tash?
Federica Woelk:
Mendoj se ai ka bërë më të mirën që ka mundur, nën kushtet që ishin shumë të vështira për Kosovën. Dhe ai po e ruan sovranitetin e Kosovës, që në opinionin tim është gjëja e parë që duhet bërë dhe gjëja e parë për t’u pasur ndërmend: sovraniteti kurrë s’është i garantuar. Prandaj, i kuptoj kritikat se ai po i jep Amerikës dhe BE-së arsye për t’u distancuar nga Kosova por unë nuk pajtohem aspak. Mendoj që ShBA-ja dhe BE-ja e kanë pasur veçse parasysh dhe Kurti po është i aftë që ta vendos sovranitetin e Kosovës në vend.
Nacionale: Çka mendoni për opozitën?
Federica Woelk: Më duket se ata janë inkoherentë. Në njërën anë mbajnë ligjërata për dialogun në të cilin duanq ë Kosova të pranojë gjithçka që kërkon Serbia, dhe në tejtrën e kritikojnë Kurtin kur flet me Serbinë. Po ashtu, ata janë ata që kanë nënshkruar gjithçka që po i kushton Kosovës me sovranitet. Prandaj, s’janë ndihmues.
Nacionale: Çfarë pozite keni ju në Parlamentin Evropian?
Federica Woelk: Unë jam asistente parlamentare por punoj edhe në tema tjera, jo politikë e zgjerimit...
A-ha. Asistente. Domethënë veç asistente. Se qysh e merr seriozisht një asistente të njërës prej 705 deputeteve në Parlament Evropian, këtë veç historia do ta tregojë. Është njësoj sikur asistentin e Dimal Bashës – për shembull – ta merrte seriozisht dikush në Shqipëri e Maqedoni. Btw, në Maqedoni s’e morën seriozisht as Albin Kurtin, e lëre më ndonjë asistent të ndonjë deputeti a asambleisti të tij.
*Intervista u realizua nga gazetarja Beatrisa Culaj.