Pse profile të rreme në Facebook po mbështesin politikanë kosovarë - NACIONALE

Pse profile të rreme në Facebook po mbështesin politikanë kosovarë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Profilet e rreme, klikimet e rreme dhe angazhimi i lartë i rremë në rrjetet sociale janë shndërruar në armët e reja e asetet teknike të politikanëve dhe ambicieve të tyre për të arritur qëllime politike. Ndikimi në opinionin publik nëpërmjet këtyre elementeve, ashtu si vende të tjera të botës, ka prekur me të madhe edhe Kosovën.

E ashtuquajtura “sjellje jo-autentike” online përdorej zakonisht nga estrata për të rritur klikimet e për t’u dukur më të famshëm në sytë e popullit. Por, kjo taktikë ka kohë që është adaptuar edhe nga politikanët. Aktiviteti i falsifikuar i liderëve botëror është kthyer në një përditshmëri negative, gjë për të cilën kishte raportuar edhe gazeta prestigjioze The Guardian.

Sophie Zhang, një ish punonjëse e Facebook, për The Guardian, ka nxjerrë në pah një shteg të ngushtë të cilin politikanët rreth-e-qark globit e përdorin për të arritur mbështetje digjitale dhe influencë në opinionin publik, duke përdorur profile të rreme që administrohen nga një numër i vogël militantësh.

Teknika e përmendur nga Zhang është vënë re se përdorej edhe nga liderët dhe politikanët kosovarë. Gazeta Nacionale, në një gjurmim të shkurtër për aktivitetin e falsifikuar digjital të politikanëve tanë ka parë të dhëna shqetësuese.

Në profilin e kryeministrit Albin Kurti në Facebook qarkullojnë plot e përplot profile të rreme.

Shumica prej tyre japin komente pozitive për secilin vendim që komunikohet nga i pari i Qeverisë dhe Vetëvendosjes.

Ja një shembull nga një profil fals i quajtur Mona Mona.

Llogaria, pa ndonjë të dhënë identifikuese është e lidhur më llogari tjera, shumica e të cilave e përkrahin Qeverinë dhe kryeministrin Kurti. Llogari të tilla ka pasur edhe te politikanë tjerë të partive tjera politike.

Grupi “meKryeministrin” përdoret nga përkrahësit e Kurtit, deputëtët e Lëvizjes Vetëvendosje e ministrat e Qeverisë, për të mbështetur, uruar e mbrojtur punën dhe vendimet e Qeverisë Kurti.

Por, tok së bashku me zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes është vërejtur duke postuar edhe një profil i rremë me emrin “Via Smith”. Pra, jo thjesht komentim por edhe postim. Duhet kujtuar se në këtë grup të drejtë postimi nuk kanë madje as të gjitha profilet e vërteta të qytetarëve.

Jo vetëm për të ndëruar imazh të mirë në publik, mekanizmi digjital në fjalë, përdoret edhe për të ndërruar perceptimin publik mbi çështje të caktuara. Për shembull, vitin e kaluar i çuditshëm ishte rezultati në pyetjen e shtruar në emisionin Debat Plus “A besoni që gjatë pandemisë është zvogëluar papunësia në Kosovë,” ku 53% e votueseve kanë votuar për opsionin “Po” edhe pse në fakt ishin humbur mbi 50 mijë vende pune dhe Kosova nuk bëri çudinë e botës duke u bërë i vetmi vend në glob që hapte vende pune në kohë të mbylljes ekonomike.

Sikurse besohet nga njohësit e politikës mbarë botën, edhe në Kosovë, ky mekanizëm, përveç tjerash përdoret edhe për linçim dhe frikësim të kundërshtarëve politikë. Shumë e shumë njerëzve u ka ndodhur që të shahen nga emra të famshëm të historisë, që tashmë as nuk janë gjallë, siç ishte rasti ta zëmë me figurën e njohur kombëtare Çerçiz Topullin. Shihni, ju lutem, edhe numrin e madh të pëlqimeve që ka marrë ky koment.

Për ta kuptuar më mirë këtë dukuri, gazeta Nacionale pyeti politologun Eroll Gashi. Ai na tha se dallon dy qëllime në mekanizmin për të cilin po bëjmë fjalë.

Gashi beson se njëri lloj i anonimitetit, të cilin e quan ‘Anonimitet të organizuar’ i shërben një agjende të caktuar për përfitim politik, përmes lajthitjes së publikut”, ndërsa lloji tjetër “’Anonimiteti individual’, shtyhet nga evitimi i pasojave të mundshme për qëndrimet e të zotit të llogarisë së rrejshme.”

Gashi thotë se këto dy lloje të anonimitetit sinjalizojnë një shkelje të lirisë së mendimit. Kur në njërën anë “agjenci të financuara nga qeveria dhe partitë politike, përdorin anonimitetin në rrjete sociale qoftë për të goditur kundërshtarë, qoftë për të sajuar një shumicë virtuale përkrahësish, nën bindjen që shumica legjitimon gjithçka”, ndërsa në anën tjetër “njerëzve të thjeshtë u duhet perdja e anonimitetit për të thënë mendimin e tyre në publik.”

Ky aktivitet shqetësues po merr hov gjithnjë e më të madh në rrjetet sociale dhe po mbyt e vjedh zërin e vërtetë të qytetarëve të vërtetë.

Pas shënim*

Një shembull shumë interesant është ish presidenti i Hondurasit, Juan Orlando Hernández. I cilësuar si një autokrat, ai është zënë duke përdorur aktivitet të falsifikuar digjital, po me anë të kësaj teknike. Në një periudhë gjashtë javore nga qershori i vitit 2018 deri në korrik të po atij viti, ish-udhëheqësi i Hondurasit ka marrë pëlqime nga 59.100 përdorues, prej të cilëve, rreth 78% nuk kanë qenë persona të vërtetë.

Në një hetim më të thellë, është zbuluar se një individ ka qenë administratori i qindra prej këtyre faqeve të rreme dhe njëkohësisht i faqes zyrtare të Presidentit dhe Ministres së komunikimit, e cila ishte motra e tij Hilda Hernández. Një statistikë tjetër e Facebook tregon se Hernandez ka pranuar hiç më pak se 90% të aktivitetit të rrejshëm, në gjithë shtetin e Hondurasit.*/Nacionale/

Lajme të ngjashme