Kaos në Kombëtaren e Spanjës: 15 futbolliste refuzojnë të luajnë sepse duan shkarkimin e trajnerit - NACIONALE

Kaos në Kombëtaren e Spanjës: 15 futbolliste refuzojnë të luajnë sepse duan shkarkimin e trajnerit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Federata e Futbollit e Spanjës thotë se 15 futbolliste kanë thënë se do të tërhiqen nga ekipi kombëtar i grave nëse kryetrajneri i tyre Jorge Vilda nuk shkarkohet.

Ato thonë se qëndrimi i Vildas në krye të skuadrës po ndikon në gjendjen e tyre emocionale dhe në shëndet.

Megjithatë, federata spanjolle ka këmbëngulur se nuk do t’i lejojë futbollistet ta vënë në pikëpyetje vazhdimësinë e trajnerit të kombëtares.

“Këto veprime nuk janë aspak shembullore dhe nuk i përkasin vlerave të futbollit dhe sportit”, ka thënë RFEF në një komunikatë për media.

“Marrja e vendimeve të tilla nuk është në dorën e tyre”.

Federata i ka paralajmëruar futbollistet se refuzimi për të luajtur për ekipin kombëtar është shkelje shumë e rëndë dhe se si pasojë ato mund të pezullohen nga dy deri në pesë vjet.

RFEF tha se nuk do t’i ftonte 15 futbollistet në grumbullimin e radhës së ekipit kombëtar të grave.

“Federata do të ketë vetëm futbolliste të përkushtuara edhe nëse detyrohet të luajë me lojtare të reja”, theksoi RFEF.

“Ky fakt është shndërruar në një çështje dinjiteti nga një çështje futbolli. Përzgjedhja nuk është e negociueshme. Kjo është një situatë e paparë në historinë e futbollit të burrave apo grave, në Spanjë dhe kudo në botë”.

“Ekipi kombëtar ka nevojë për lojtare të përkushtuara ndaj projektit, të cilat i mbrojnë ngjyrat tona dhe që janë krenare që e veshi fanellën e Spanjës”.

Federata spanjolle tha se futbollistet – emrat e të cilave nuk janë bërë të ditur –do të thirren në kombëtare në të ardhmen vetëm nëse e pranojnë gabimin dhe kërkojnë falje.

Vilda, 41 vjeç, është trajner i ekipit kombëtar që prej vitit 2015 dhe e udhëhoqi Spanjën drejt çerekfinales në Euro 2022, ku u mposht nga Anglia, e cila e fitoi kampionatin në fund.

Në vitin 2015, paraardhësi i Vildas, Ignacio Quereda dha dorëheqje pasi futbollistet e Spanjës kërkuan që ai të shkarkohej.

Lajme të ngjashme