11-shja me futbollistët që zhgënjyen mjerisht gjatë sezonit 2021/22 - NACIONALE

11-shja me futbollistët që zhgënjyen mjerisht gjatë sezonit 2021/22

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Lionel Messi, Romelu Lukaku dhe Harry Maguire, të gjithë janë meritorë të përfshihen në formacionin më zhgënjyes të sezonit 2021/22, sipas GiveMeSport.

Derisa fushata aktuale po fiton momentum drejt klimaksit të kompeticioneve kyçe, si Premier League dhe Liga e Kampionëve, ndarja e lojtarëve që po shkëlqejnë dhe ata që po zhgënjejnë bëhet gjithnjë e më e qartë.

Nuk është sekret se pritshmëritë janë brutale në futbollin modern, kështu që është e natyrshme që, madje edhe lojtarët e nivelit më të lart, të cilët ju mund t'i njihni si superyje, të kenë një sezon zhgënjyes herët a vonë.

Një sezon i vështirë për disa

Pavarësisht a ka të bëjë me ndryshim klubi, ndryshim pozite ose me arsye tjera jashtë futbollit, secili sezon gjithmonë ekspozon lojtarë që performojnë më dobët se që e kemi pritur në fillim të edicionit.

Dhe sezoni 2021/22 nuk dallon nga të tjerët në këtë aspekt, sepse, për çdo yll që ndizet dhe krijon emër për vete në futboll, është një tjetër që bie drastikisht.

Kështu, derisa sezoni po shkon gjithnjë e më afër fundit, i hedhim një sy lojtarëve që kanë ngritur vetulla me performanca të dobëta.

Lojtarët që kanë zhgënjyer

Kjo 11-she, nga GiveMeSport, nuk është për t'u konsideruar si formacioni më i dobët i sezonit 2021/22, në fakt është larg asaj, pasi në të janë përfshirë vetëm futbollistët që kanë performuar shumë më dobët se që është pritur.

Portier: Jan Oblak (Atletico Madrid)

Në një prej rënieve më të pashpjegueshme që kemi parë në vitet e fundit, Oblak është shndërruar nga një prej portierëve më të mirë në botë, te një prej atyre që rrezikon seriozisht vendin e titullarit te Atletico Madridi.

Është gati e pabesueshme ta mendojmë se, në fakt, Oblak renditet në vendin e 190 në listën e 191 portierëve të top pesë ligave evropiane për gola që është dashur t'i priste. Ai ka një bilanc prej 9.8 golave të pranuar të cilët 'është dashur' t'i parandalonte.

Mbrojtës i djathtë: Emerson Royal (Tottenham Hotspur)

A ishin pritshmëritë jashtëzakonisht të larta për Emerson? Në aspektin global të më të mirëve, jo aq shumë, por do t'i falnim fansat e Spurs nëse kishin vendosur standarde më të larta se ato që i ka arritur ish-lojtari i Barcelonës.

Brenda vetëm shtatë muajve, Emerson u shndërrua nga një prej lojtarëve më ngazëllyes, nga i cili pritej shumë, në një prej dështakëve të sezonit, teksa menjëherë ka filluar të lidhet me një largim nga klubi në verë.

Qendërmbrojtës: Harry Maguire (Manchester United)

Para sezonit 2021/22, Maguire, me plot meritë, por konsiderohej si një prej qendërmbrojtësve më të mirë në botë, pas një sezoni solid me Unitedin dhe pasi u përfshi në 'Skuadrën e Kompeticionit' në Euro 2020.

Pra, të mendosh se mbrojtësi më i shtrenjtë në botë tani po përmendet javë pas jave për një seri paraqitjesh të tmerrshme, teksa po kërkohet t'i merret shiriti i kapitenit dhe të shitet, është jashtëzakonisht zhgënjyese.

Qendërmbrojtës: Sergio Ramos (Paris Saint-Germain)

Siç e thamë më lart, nuk është gjithmonë faji i lojtarit nëse po zhgënjen me paraqitje. Mirëpo, është thjesht fakti se ardhja e Ramosit në Paris po konsiderohej si një transferim 'galaktiko', që pretendohej të ndihmonte skuadrën që, më në fund, të siguronte trofeun e Ligës së Kampionëve.

Sidoqoftë, problemet me lëndime kanë ndikuar që ai të mungojë plot 168 ditë aksioni për skuadrën, teksa ka realizuar vetëm katër paraqitje nga minuta e parë në total, në njërën prej të cilave ai u përjashtua me të kuq dhe nxiti spekulime për një kalim të tij në MLS.

Mbrojtës i majtë: Luke Shaw (Manchester United)

Njejtë si Maguire, forma e Shaw ka rënë në mënyrë të pashpjegueshme këtë sezon, pavarësisht se mbylli Euro 2020 me një gol në finale dhe gëzonte statusin si një prej më të mirëve në pozitën e tij.

Mirëpo, ai thjesht nuk ka mundur të mbetej më prapa Andrew Robertsonit dhe Alphonso Daviesit në aspektin e performancave, me Alex Tellesin që papritur është shndërruar në kandidat dinjitoz për ta uzurpuar pozitën tek United.

Mesfushor qëndror: Georginio Wijnaldum (Paris Saint-Germain)

Ajo që dukej si një kapje e mirë nga PSG, dhe me Liverpoolin që thuhej se është dashur të luftonte më shumë për t'i mbajtur shërbimet e tij, është kthyer në një tjetër transferim jo të suksesshëm të gjigantit francez.

Me vetëm 22 pasime të sakta të regjistruar kundër Nice, pavarësisht se luajti 89 minuta në zemër të mesfushës, Wijnaldum ka pasur deri tash një sezon për t'u harruar, teksa ka kontribuar me vetëm tre gola dhe dy asistime.

Mesfushor qëndror: Saul Niguez (Chelsea)

Ardhja e Saul në Premier League nxiti shumë fërkime duarsh në mesin e fansave dhe analistëve. Pak kishin pritur se ai do ta kishte të vështirë të luante edhe nga banka rezervë.

Spanjolli fatmirësisht i ka kthyer gjërat në favorin e tij në javët e fundit, por paraqitjet katastrofale kundër Evertonit, Watfordit dhe Aston Villas me vetëm 48 minuta lojë deri në nëntorin e vonshëm, prapë e bëjnë një vit alarmues për të.

Mesfushor qëndror: Marcel Sabitzer (Bayern Munich)

Bayerni u duk se po qeshte me cinizëm kur përsëri 'peshkoi' me sukses te RB Leipzig, derisa ribashkoi Julian Nagelsmann me një lojtar, i cili në baza konsistente dhuronte paraqitje top klas.

Por disa muaj më vonë, fjala 'zhgënjyese' futet në horizont, me Sabitzerin që po duket futbollist tjetër nga ai i mëparshmi. Zero gola, zero asistime dhe vetëm shtatë paraqitje nga minuta e parë.

Anësor i djathtë: Lionel Messi (Paris Saint-Germain)

A ishte ky sezon i tmerrshëm për Messin? Jo, aspak, por ju thjesht po gënjeni nëse thoni se keni parashikuar fituesin e 'Topit të Artë' me vetëm dy gola të realizuar në Ligue 1, pas shtatë muajve aksion.

Fusni në ekuacion edhe eleminimin zhgënjyes nga Liga e Kampionëve, dhe në përgjithësi faktin se ai po duket shumë larg Kylian Mbappe, më e pakta që mund të themi është se 'dhia' ka mbetur larg pritshmërive në sezonin 2021/22.

Sulmues: Romelu Lukaku (Chelsea)

Shikoni, mos t'i biem rrotull, Lukaku është një prej 9-shave më të mirë në botë dhe mund të themi se vetëm Robert Lewandowski, Cristiano Ronaldo, Harry Maguire dhe Karim Benzema ishin më të mirë përgjatë vitit 2021.

Kështu që, të mendoni se transferimi i tij 100+ milionësh te Chelsea ka qenë i kufizuar në vetëm pesë gola në ligë, periudha të vazhdueshme në bankën rezervë dhe një intervisteje kontraverse, është, me plot dhimbje, e saktë të konsiderohet fushata e tij, deri tash, 'zhgënjyese'.

Anësor i majtë: Eden Hazard (Real Madrid)

Shumë lehtë ka mundur të ishte në këtë pozitë Neymar, i cili po kalon nëpër një fushatë turbulente, por situata e Hazardit është thjesht shqetësuese për mënyrën si ka vazhduar me vështirësi edhe në vitin e tretë në 'Bernabeu'.

Ikona e Chelseat asnjëherë nuk ka qenë më i shëndetshëm fizikisht prej ardhjes në kryeqytetin spanjoll, por sezoni i tij aktual prapë po përcillet me zero gola, një asistim dhe vetëm tetë paraqitje nga minuta e parë.

Ende ka kohë për të ndryshuar gjërat

Në këtë listë nënvizohet qartë se madje edhe disa prej më të mirëve të botës, nuk janë imunë ndaj një sezoni të dobët.

Përveç kësaj, fjala 'zhgënjyese' njëmend është e përshtatshme për disa prej futbollistëve të përfshirë në formacionin e mëepërm, sepse - e drejt të themi - duhet të keni qenë babai i cinikëve nëse nuk keni pritur shumë më shumë nga, le të themi, Messi gjatë sezonit 2021/22.

A e menduat se gjërat do të shkonin kaq keq për Lukakun? A ishit aq të saktë në parashikim sa që e menduat Saul me kaq pak minuta aksioni? A mund ta shihnit rënien nga maja të Maguire dhe Shaw?

Përgjigja për këto pyetje për shumicën prej jush duhet të jetë 'jo', kështu që, derisa nuk dyshojmë se të gjithë këta top lojtarë mund t'i rikthejnë gjërat në favorin e tyre shumë shpejt, nuk mund t'i iket elementit zhgënjyes të sezoneve të tyre.

Lajme të ngjashme