11 ndeshje pa fitore në Superligë për Llapin, ndalet me barazim nga Dukagjini
Llapi i Tahir Batatinës tashmë nuk di për fitore në 11 ndeshjet e fundit në Superligën e Kosovës, ku sot u ndal me barazim pa gola nga Dukagjini i Ismet Munishit.
Pjesa e parë e ndeshjes ishte me plot raste për të dy skuadrat, ku vlen të veçohet portieri Laroshi, që bëri disa pritje, për të shpëtuar skuadrën e tij.
45 minutat e para përfunduan pa gola, përkundër rasteve të krijuara.
Edhe në pjesën e dytë ishin disa raste të mira, ku Dukagjini rrezikoi me anë të Mergim Pefqelit nga gjuajtja e lirë, por Vokli Laroshi ishte në vend.
Llapi shënoi në minutat shtesë, por gëzimin ua ndali VAR-i.
Pas rishikimit të rastit për gati 5 minuta, goli u anulua për pozitë jashtë loje dhe si rrjedhojë rezultati u kthye në 0:0.
Deri në vërshëllimen e fundit nuk pati ndryshim në rezultat, me Llapin që vazhdon të mbetet në krizë rezultatesh, tani duke çuar në 11 serinë e ndeshjeve pa fitore në Superligë.
Pas 18 ndeshjeve të zhvilluara, Llapi ka grumbulluar vetëm 18 pikë, me këtë përballje që ishte e fundit për pjesën dimërore të sezonit.
Skuadra e Tahir Batatinës rrezikon të bie në vendin e nëntë, nëse Ferizaj arrin një barazim apo fitore ndaj Gjilanit nesër.
Në anën tjetër, Dukagjini, me këtë barazim shkon në kuotën e 21 pikëve dhe siguron vendin e shtatë për pjesën dimërore të sezonit.