U zvarrit protestuesi nga Policia pasi donte të fliste me Kurtin: Çka kërkohej prej kryeministrit?
Një protestues u zvarrit sot nga zyrtarë policorë para objektit të Qeverisë së Kosovës pasi donte të fliste me kryeministrin Kurti. Çka është puna e këtij protestuesi?
Protestuesi në fjalë ishte pjesë e një proteste të organizuar nga ish-punëtorët e Kosova Thëngjill. Këta protestues, ish-punëtorë, tash e sa kohë kërkojnë që të jenë pjesë e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), marrë parasysh që prej korrikut 2021 kompania e tyre – që i kishte afro 200 punëtorë – nuk po punon.
E krejt kjo ka ardhur nga shkëputja e kontratës nga ana e KEK-ut.
Kjo kompani nuk ishte gjithnjë kompani aksionare. Në vitin 2004, kur pushtetin real në Kosovë e kishte UNMIK-u, Kosova Thëngjilli bashkë me INKOS-in dhe Auto-Transportin u hoqën nga KEK-u në emër të privatizimit.
Për vite më radhë, këto kompani ishin jashtë funksionit. Auto-Transporti nuk ekziston më, ndërsa INKOS-i e Kosova-Thëngjilli operonin kohë pas kohe duke marrë kontrata nga KEK-u.
Kosova Thëngjill, kishte rikthyer punën e rregullt që nga vitet 2017/18, kur kishte filluar që të shiste thëngjill kompanisë së metaleve ‘’Ferronikel’’, dhe kishte nisur eksportin në disa shtete të Ballkanit.
Por, prej korrikut të vitit 2021, punëtorët e kësaj kompanie mbetën pa punë, nën pretekstin se duhej të bëhej rregullimi i ujërave toksike.
Një nga ish-punëtorët e kësaj kompanie i ka treguar Nacionales vështirësitë që kanë pasur për ta takuar ndonjë zyrtar të qeverisë apo edhe të KEK-ut.
“Ne vazhdimisht kemi kërkuar takim me Qeverinë, me ministren Rizvanolli, por edhe me drejtorin e KEK-ut Nagip Krasniqin, dhe gjithmonë jemi refuzuar. Në fillim na kanë thënë se ju ka përfunduar kontrata e nuk kemi se çfarë të takohemi, pasi që jemi takuar me drejtorin e KEK-ut në janar të këtij viti, tash ka dalë një problem tjetër,” – u shpreh Enver Maloku për gazetën.
Sipas punëtoreve vazhdimisht kanë ndërruar qëndrimet e KEK-ut karshi kërkesave të tyre.
‘’Kompania në fillim e ka pasë një kontratë më KEK-un, për blerjen e thëngjillit nga ta, por kontrata ka përfunduar më shpejt se sa është paraparë pasi që kemi pasur kërkesa të shumta edhe në Kosovë por edhe nga shtetet fqinjë sidomos Maqedonia veriore, ku për një vit kanë kërkuar 1 milionë ton thëngjill të njomë. Ne kemi bërë kërkesë shtesë në KEK, që të na rriste sasinë e thëngjillit për shkak të kërkesave, mirëpo ata e kanë refuzuar kërkesën tonë edhe tash një kompani privat e ka marr tenderin të cilin është dashtë që ta marrim na, ne mendojmë se na është bëre padrejtësi në këtë aspekt, pse me marr ata para neve.’’- tha një ish-punëtor tjetër i Kosova Thengjill.
Për Malokun, ajo se çfarë është duke bëre Qeveria e Kosovës, është shkelje e të drejtave të 200 punëtoreve pasi që KEK-u, ka nevojë për punëtore dhe që nga viti 2019 është marr një vendim nga bordi dhe drejtori i atëhershëm i KEK-ut, që Kosova Thëngjill të rikthehet në KEK.
‘’Që nga viti 2019, na kanë premtuar se do të na kthejnë më KEK, bordi edhe drejtori i atëhershëm kanë marrë vendim që të kthemi më KEk, atëherë ka qenë kryeministër Ramush Haradinaj, pasi që pa vendim të Qeverisë ne nuk mund të kthehemi më KEK, pat ra qeveria kemi met në rrugë. Krejt punëtoret e Kosova Thëngjill, janë adekuat për punë në KEK se qat punë e kanë bëre po na edhe kemi qenë më KEK, veç të drejtën tonë jemi duke e kërkuar. Tash as më KEK nuk po na bjen ndërmend me u kthy, veç jem tu dashtë punë, se krejt në kredi jemi, krejt kem nevoje për punë.’’- i tha ai Nacionales.
Gazeta Nacionale para disa muajve ka dërguar pyetje në KEK si dhe në ministrinë e Ekonomisë, lidhur më fatin e punëtoreve të Kosova Thëngjill, mirëpo deri më tani nuk ka marr asnjë përgjigje nga asnjëra palë.
‘’As në shtëpi nuk po na dojnë pa punë’’- tha njeri nga punëtoret i cili ishte rreth të 60-ave.
‘’Në mujshi ju mediat me na ndihmu se kerkush në takim s’po na pret, na veç riskun tonë po e dojmë, ’’- ndërhyri një tjetër.
Por fatin e tyre për të folur para gazetarëve nuk e kishte edhe një koleg i tyre i cili në mënyrë të dhunshme është arrestuar nga Policia e Kosovës, në momentin kur ka tentuar që të flas më kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
Për Malokun, kjo ishte e vetmja mënyre që të kishin mundësinë për të folur më Kurtin, pasi që kërkesat e vazhdueshme që i kanë dërguar në adresën e Qeverisë asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje pozitive.
Rasti i Kosova Thengjill, është folur edhe disa herë në Kuvendin e Kosovës, nga disa deputetë të opozitës, mirëpo edhe këta deputetë nuk kanë marrë asnjëherë përgjigje nga ministrja Rizvanolli.

