Turqia ‘pushton’ Kosovën me punëtorë
Me një hemorragji prej 30 mijë njerëzish që ikin në vit nga Kosova, peizazhet urbane kanë nisur t’i ndjejnë realitetet e reja. Në kushtet e mungesave të thekshme në krahun e punës, numri i punëtorëve të huaj është duke u rritur nga viti në vit. Prej pandemisë e deri më sot, mbi 8 mijë shtetas nga Turqia punojnë në Kosovë, duke qenë hisedarët kryesorë të atyre që kërkojnë leje qëndrimi.
Col Mehmeti
Djem të rinj që flasin vetëm turqisht janë bërë pjesë e përditshmërisë urbane në kryeqytet.
Shpesh me mosnjohje të shqipes dhe anglishtes, ata çajnë me motoçikleta e biçikleta mes kolonave me vetura të pambarimta.
Tash e një vit e pranishme në Kosovë, kompania finlandezo-amerikane ‘Wolt’ është një nga ato që më shumti ka angazhuar punëtorë të rinj nga Turqia.
E shtruar shpesh si pyetje në formë kërshërie publike, të rinjtë nga Turqia që bartin porosi andej-e-këndej duket se janë shëmbëllimi i parë i një realiteti të ri.
Në mungesë të një tabloje të plotë, ato pak të dhëna në dispozicion nga institucionet e Republikës së Kosovës qartësojnë disa nga prirjet në tregun lokal të punës.
Të dhënat e parëvjetshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme zbardhin se numri i gjithëmbarshëm i shtetasve të huaj që u pajisen me leje qëndrimi në Kosovë ishte 8,293.
Pak më shumë se gjysma e tyre, 4,273 vetë, u pajisen me këtë lloj leje për arsye punësimi.
Nëse vihet llupa mbi kërkesat e miratuara nga Ministria e Punëve të Brendshme, atëherë del që Turqia prin me numrin më të lartë të punëtorëve që vijnë në Kosovë.
Gjithnjë sipas të dhënave për vitin 2024, nga Turqia ishin 2,387 punëtorë, pasuar nga Serbia me 1,436 punëtorë, Shqipëria 811, Maqedonia e Veriut 686, Bangladeshi 599, etj.
Nga po të njejtat të dhëna, punësimi përbën arsyen kryesore të atyre që iu drejtohen organeve të rendit për t’u pajisur me leje qëndrimi.
Kështu, më 2023 nga 7,027 kërkesa të miratuara, 3,733 ishin për arsye punësimi; më 2022 nga 6,475 kërkesa të tilla, 3,062 ishin për punësim; më 2022 nga 4,511 kërkesa, 2,217 ishin për punësim.
Njashtu, krahasimi mes numrit të atyre që për herë të parë bëjnë një kërkesë të tillë dhe atyre që kërkojnë vazhdimin e lejes zbulon se çdo vit më të shumta janë kërkesat për këto të fundit.
Nëse bëhet hesapi për numrin e shtetasve turq nga pandemia e deri në prill 2025, Kosova kishte pajisur me leje qëndrimi mbi 8,260 shtetas nga Turqia.
Kur qëmtohet ky numër, 8,141 prej tyre kishin leje të përkohshme kundrejt 119 të tjerëve që ishin pajisur me leje të përhershme.
Gjatë këtij harku kohor, vetëm 73 shtetas turq kanë plotësuar kushtet për t’u pajisur me nënshtetësinë e Republikës së Kosovës.
Prishtina, sipas të dhënave të MPB-së, prin me kërkesat më të shumta nga shtetasit e Turqisë, më saktë më 3,955 sosh, pasuar nga Prizreni me 1,761 dhe Ferizaj më 457.
Dyndje diçka më të madhe të punëtorëve nga Turqia kishte edhe shteti fqinj, Maqedonia e Veriut.
Sipas të dhënave të institucioneve të atjeshme, gjatë gjithëvitit të kaluar 6,128 punëtorëve të huaj iu miratua leje qëndrimi i përkohshëm.
Punëtorët nga Turqia kanë hisen më të madhe në kërkesat për t’u pajisur me leje, me 2,815 sosh që morën dritën e gjelbër.
Agjencia e Punësimit në Maqedoninë e Veriut saktëson se interesimi më i madh mbetet ndërtimtaria, industria përpunuese, akomodimi dhe shërbimi, pasuar edhe nga tregtia me shumicë dhe pakicë.
Nga data 16 e muajit të kaluar, Qeveria e shtetit fqinj ka fuqizuar vendimin e saj për një kuotë prej 10 mijë lejesh për punë për shtetasit e huaj – nga këto, 9,750 ishin leje për punësim të rregullt, 200 për të huaj të dërguar, dhe 50 për angazhime sezonale.
Po ashtu, të dhënat e atjeshme zbulojnë se numri më i madh i kërkesave është për zgjatjen e lejeve të lëshuara (5,250) kundrejt atyre që kërkuan leje për herë të parë (4,500).
Nga të dhënat e tashpërtashme nga burimet turke, është i paqartë numri i punëtorëve nga Turqia në Ballkanin Perëndimor.

Kjo për shkak se të dhënat zyrtare, shpesh preliminare, kërkojnë kohë për t’u publikuar të plota.
Ndonëse nuk zihet në gojë nga qeveria e atjeshme, edhe Turqia po përjeton valë në rritje të emigrimit të të rinjve dhe atyre që nuk shohin më të ardhme në vend.
Sipas TurkStatit (Instituti Turk i Statistikave), më 2018, 136,740 qytetarë turq migruan jashtë vendit. Ky numër u rrit më 2023 në 291,377 për të rënë në 151,140 më 2024.
Në anën tjetër, Kosovën prej vitit 2021 deri më 2024, e braktisën 142,000 qytetarë.
Me zvogëlimin për 20 për qind të popullsisë prej 2008-s, Kosovën e braktisin mesatarisht 30 mijë njerëz në vit. /Nacionale/