Tre të vdekur nga Covidi në Kosovë
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se tre persona kanë vdekur nga COVID-19 në 24 orët e fundit në Kosovë.
Sipas njoftimit të ministrisë, gjatë kësaj periudhe kohore 397 persona kanë rezultuar pozitivë.
Në total numri i rasteve aktive me coronavirus është 2,087, ndërkaq nga fillimi i pandemisë nga coronavirusi kanë vdekur 3.143 persona.
MSH po ashtu bën të ditur se gjatë 24 orëve janë shëruar 167 persona.
Numri total i dozave të administruara të vaksinave është 1,831,139, ndërkaq brenda 24 orëve janë vaksinuar 128 persona.
Instituti kërkon bartjen e maskës
Shqetësuese është fakti se numrat e të infektuarve me COVID-19 dhe të vdekurve janë në rritje ditëve të fundit në Kosovë.
"Kosova po vazhdon të shënojë shtim të rasteve të reja të COVID-19 me tendencë të rritjes ditët në vijim. Fatkeqësisht sot janë raportuar tre raste të vdekjeve nga kjo sëmundje!", shkruhet një njoftimin e IKSHPK-së.
Më tutje IKSHPK-ja kërkon nga qytetarët të jenë të kujdesshëm në vlerësimin e gjendjes dhe të mbrohen duke ndjekur të gjitha udhëzimet e Institutit Kombëtar.
"MSh dhe IKSHPK rekomandojnë qytetarët që përkundër situatës së qetë dhe stabile epidemiologjike në vend, të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave preventive kundër sëmundjeve ngjitëse dhe të vaksininohen kundër COVID-19", shkruhet në vazhdim të komunikatës së lëshuar nga IKSHPK-ja.


