Rrafsh 2 vjet me Covid: Viktimat, hipokrizia dhe 'llotaria' - NACIONALE

Rrafsh 2 vjet me Covid: Viktimat, hipokrizia dhe 'llotaria'

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Në ditën kur Hashim Thaçi dhe Albin Kurti do të realizonin fotografinë e mësipërme në pozicione të larta shtetërore (njëri si president, tjetri si kryeministër) do të binte mortja mbi Kosovë. Takimi në fjalë do të ndërpritej nga një telefonatë që lajmëronte krerët shtetërorë se pandemia kishte ardhur edhe në vendin tonë. Prej asaj dite kanë kaluar rrafsh dy vjet. Cili është bilanci?

Zyrtarisht, prej asaj dite kur u regjistruan dy rastet e para, janë infektuar gjithsej 226 mijë e 845 qytetarë të Kosovës. Natyrisht, numri besohet të jetë shumë më i lartë për shkak se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk është testuar fare.

Numri i të vdekurve ndërkohë është po ashtu shumë i madh. 3 mijë e 124 qytetarë të Kosovës kanë humbur jetën.

Por, nuk ishte vetëm sëmundja e vdekja që kanosi kosovarët përgjatë kësaj kohe. Kishte edhe telashe me kushtetshmërinë e vendimeve që merreshin, e me lirinë e tyre të lëvizjes e qe besa edhe të fjalës.

Hiç më larg se para dy javësh, Qeveria e Kosovës hoqi orën policore të vendosur si masë parandaluese për përhapjen e virusit e që po dëmonte bizneset.

Por, pandemia ka ekspozuar edhe ‘fytyrën’ hipokrite të politikës kosovare në përgjithësi. Gjatë vitit të kaluar, kur vendi ishte në fushatë zgjedhore e njëkohshëm edhe me masa kufizuese, asnjëra parti nuk u përmbajt nga tundimi për të mbajtur tubime edhe pse s’i ndalnin zyrtarisht thirrjet për respektim të masave kundër pandemisë.

Pandemia u bë edhe një armë tjetër në duart e papërgatitura të politikës tonë, pasi shumë e shumë pushtetarë – s’po përmendim emra – një herë ishin fryrë për suksesin në menaxhim e më pas ishin shfryrë sa herë që vinte një valë e re. Hajt, megjithatë t’i përmendim disa emra. Ish ministri Armend Zemaj, ish ministri Arben Vitia dhe ish kryeministri Albin Kurti.

Ky i fundit do të fryhej për menaxhimin e pandemisë në muajin maj 2021, para se të na rrokte një valë e re me ardhjen e mërgimtarëve verën e kaluar duke sjellë vdekje masive në vend. Pastaj, i përballur me kritika, ai kishte thënë se në të vërtetë thjesht kishin ndjekur rekomandimet e autoriteteve shëndetësore. A-ha, domethënë punë llotarie!

Numri i pacientëve me koronavirus që janë duke u trajtuar në spitale fatmirësisht ka rënë. Sipas Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës [SHSKUK] bëhet e ditur se aktualisht në spitale po trajtohen nëntë pacientë të konfirmuar me virus.

E gjithë kjo, falë dozave të vaksinës që tashmë janë marrë nga mbi 60 për qind e popullit tonë. Shumica dërmuese e këtyre vaksinave janë ndihma nga vendet aleate të Kosovës.

Vaksinimi i popoullit të Kosovës kundër COVID-19 është duke vazhduar edhe këto ditë. Sipas të dhënave të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.817.550 doza të vaksinës.

Kurse me dozën e dytë janë vaksinuar 818.255 qytetarë teksa deri më sot janë dhënë 98.577 doza përforcuese dhe doza të treta të vaksinës kundër COVID-19.

Lajme të ngjashme