Tjetër ditë greve: Kurti shpërndan ndihma, Hekurani lyhet me miell, presidentja "mes dy zjarresh" - NACIONALE

Tjetër ditë greve: Kurti shpërndan ndihma, Hekurani lyhet me miell, presidentja "mes dy zjarresh"

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Reagimet rreth grevës së shpallur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, vazhduan edhe të shtunën. Kryeministri Albin Kurti prezantoi disa masa të reja, që u konsideruan si ndihma. Partia Socialdemokrate mbajti një aksion, ku hodhi miell ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati. Ndërkaq presidentja Vjosa Osmani, në tentim për t’u treguar unifikuese, duket se ka mbetur mes dy zjarresh.

BSPK-ja shpalli grevën më 25 gusht. Situata filloi të tensionohet nga 1 shtatori, kur parshihej që të fillonte procesi mësimor, por kjo nuk ndodhi, për shkak se mësimdhënësit po e mbështesin grevën. Kështu, grevistëve iu ndaluan pagesat.

Të shtunën, pati shumë zhvillime rreth kësaj ngjarje, që fillimisht, nisën me një konferencë të thirrur në mëngjes nga kryeministri Albin Kurti.

Kryeministri shpërndan ndihma

Kurti sot prezantoi një pako të re, për të cilën tha se do të shërbejë në përkrahje të qytetarëve të Kosovës. Bëhet fjalë për masat në vlerë të 150 milionë eurove.

Në një konferencë për media, Kurti tha se do t’u dalë në ndihmë disa kategorive shoqërore me nga 50 dhe 100 euro, si dhe subencione për energjinë elektrike e sektorin privat.

Për këtë pako, pati shumë reagime në rrjete sociale, e cila u konsiderua si “pako ndihmash”.

Madje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës më herët në një reagim, konsideroi se masat janë mashtrim që poi u bëhet qytetarëve, me paranë publike.

Kurti në konferencën për media, tha se testet e PISA nxjerrin fëmijët kosovarë si analfabetë funksionalë.

Ai pati disa fjalë edhe për komunat që po e mbështesin grevën, të cilat sipas tij, i kanë shpallur luftë.

Kryeministri dha edhe një deklaratë tjetër, e cila po konsiderohet si ofenduese ndaj diasporës, ku tha se sistemi arsimor në Kosovë nxjerr kuadro jo të mira, duke shtuar se njerëzit ose bëhen për asistencë sociale ose punëtorë krahu në Gjermani.

Mes tjerash, në këtë konferencë ai konfirmoi se nuk do të mbajë takim me kryesindikalistin e arsimit, Rrahman Jasharaj, i cili është linçuar këto ditë nga vetë përkrahësit e kryeministrit.

Murati lyhet me miell

Partia Socialdemokrate e Kosovës sot ka mbajtur një aksion, ku ka hedhur miell në drejtim të ministrit të Financave, Hekuran Murati.

Në videon e publikuar nga PSD, Hekuran Murati shihej i zbardhur nga mielli që ia hodhën aktivistët.

“Nuk mund të normalizohet lufta e pa precedentë që Hekuran Murati u ka shpallur punëtorëve. Prandaj, aksion, ndërhyrje, rezistencë”, tha kryetari Molliqaj.

Ministria e Financave ende s’i ka proceduar pagat e muajit gusht për punëtorët publikë.

Kjo si rezultat i grevave qe po organizohen nga Bashkësia e Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Presidentja “mes dy zjarresh”

Në tentim për të gjetur pajtim mes qeverisë dhe sindikalistëve, presidentja Osmani ndodhet "mes dy zjarresh".

Sot në një konferencë për media pas takimeve që mbajti me sindikatat, presidentja tha se “e vlerëson kontributin historik të mësimdhënësve”.

Në këto takime, Osmani tha se është diskutuar mundësia që procesi mësimor të fillojë të hënën, por sindikalistët janë të bindur në kërkesat e tyre.

Presidentja Osmani i doli në mbrojtje kryeministrit Kurti, për shkak të pakos për ndihmë, që ky i fundit e prezantoi sot.

“Qeveria sot ka bërë publike masat që janë ndërmarrë në një pako për ndihmë për ata që janë prekur nga inflacioni. Inkurajoj BSPK-në, SBAShK-un dhe sindikatat e tjera, që ta shqyrtojnë këtë pako, që ndihmon përtej asaj rritjes në pagë, e cila do të jepet nga shtatori e tutje”, ka thënë Osmani.

Madje, ajo konsideroi se ndihma është më e madhe se sa që mund të duket, derisa tha se zgjidhja ndodhë vetëm kur të miratohet projektligji për paga.

Në fundi, Osmani u kërkoi sindikatave të mos japin “JO” absolute, duke vlerësuar se Kurti e bëri hapin e parë.

“Palët të ulen, t’i adresojnë kërkesat. Unë e kuptoj që për shkak të krizës ekonomike, shporta familjare kushton më shumë, por këto masa duhet të shihen si masa të vullnetit të mirë, dhe si hap për zbutjen e krizës.Tani është koha që sindikatat të tregojnë vullnet, e jo të japin “JO” absolute”, ka përfunduar ajo.

Lajme të ngjashme