Të pasigurt në qendra kujdesi, të vetmuar në shtëpi - Qysh shteti me popullatën më të re në Evropë erdhi në këtë derexhe? - NACIONALE

Të pasigurt në qendra kujdesi, të vetmuar në shtëpi - Qysh shteti me popullatën më të re në Evropë erdhi në këtë derexhe?

3 vjet më parë

nga Vullnet Krasniqi

Në orët e para pas publikimit të videos shokuese që e tregon trajtimin mizor me dhunë të një të moshuare në një qendër përkujdesi në Pejë, u gjykuan me të drejtë ashpërsisht infermieret e përfshira në këtë akt të tmerrshëm. Por sapo në media u shfaqën familjarët e viktimës, gjykimi ndërroi anë: familjarët e të moshuarës u bënë fajtorë. Ky ndryshim kaq i shpejtë i “fajtorëve” e qet në pah mungesën e përgjegjësve shtetërorë dhe mungesën e një vetëdije mbi problematikën e kësaj kategorie shoqërore.

Fillimisht, këto dy kombinime e shpjegojnë arsyen e videos: infermieret e rrahin të moshuarën dhe e incizojnë atë bazuar në mentalitetin se ata që dërgohen në qendra të tilla kujdesi, në fakt janë persona të braktisur nga familja, rrjedhimisht nuk ia ndien askujt për ta, kështu që as nuk ka ndonjë rrezik që të gjykohesh për sjelljet ndaj tyre.

Qe pse

Teksa në medie ishte publikuar videoja brutale që e shokoi opinionin publik, në studio të "Podcast Nacionale"-s ishte Marigonë Drevinja, hulumtuese në Institutin për Politika Sociale “Musine Kokalari”.

Më të po flisnim për raportin “Who Cares”, që flet për punën e papaguar në Kosovë. Njëra prej këtyre punëve është edhe kujdesi ndaj të moshuarve. Dervinja po fliste për të dhëna shqetësuese që tregojnë për një gjendje të mjerueshme të kësaj kategorie.

Nga anketimi që kanë realizuar së fundmi për këtë temë, dalin të dhëna që fillimisht tregojnë një fakt që do të duhej të ishte përparësi për Kosovën që të krijonte një sistem të qëndrueshëm të përkujdesit ndaj të moshuarve.

Për shkak se Kosova ka një popullatë më të re në moshë në Evropë, sipas hulumtimit të Insititutit ku Dervinja është drejtore e programit dhe autore e hulumtimit, afro 77 për qind e të anketuarve thonë se nuk jetojnë me të moshuar mbi moshën 65-vjeçare.

Vetëm 17 për qind thanë se jetojnë me një të moshuar dhe 5 për qind me dy të moshuar. Për të moshuarit, sipas të anketuarve, kujdesen më së shumti gratë. Ato shpenzojnë 1.15 orë për kujdesin e të moshuarve, ndërsa burrat mesatarisht vetëm 45 minuta në ditë.

Të dhënat tregojnë se kujdesi ndaj të moshuarve është puna që më së paku pëlqehet të bëhet. Vetëm 3 për qind janë përgjigjur me "kujdesin ndaj të moshuarve" si punë e pëlqyer në shtëpi, teksa gatimi, larja e rrobave dhe pastrimi janë punë që parapëlqehen më shumë nga kosovarët që kujdesen për shtëpinë.

“Marre me qu nanen e baben në dom të pleqve”

Tashmë, nëse hyni te komentet për lajmet dhe videot që flasin për rastin e rrahjes së të moshuarës, të gjithë janë duke i gozhduar familjarët e viktimës. E bija e viktimës shfaqet në video duke qarë dhe shumica e komenteve nuk janë ngushëlluese.

Shumica e komentuesve madje i gjykojnë edhe lotët e së bijës, nëna e së cilës është e diagnostikuar me sëmundjen e harresës (Alzheimer), duke e shpërfillur tërësisht faktin se me një sëmundje të tillë është e pamundur që të kujdesesh në shtëpi. Kjo edhe është e mundur, por dikush do të duhej të rrinte me të krejt kohën.

Kjo është e pamundur në Kosovë, përderisa shteti nuk e paguan punën e tillë.

Ja disa komente:

Nëse këto nuk ju mjaftojnë, ja linku i postimit në Facebook:

Në pyetjen që hulumtuesit se kush kujdeset për të moshuarit dhe personat e tjerë të varur, 50 për qind e të anketuarve kanë thënë se vetë kujdesen për të moshuarit dhe personat e tjerë të varur, prej të cilëve 71 për qind janë femra dhe 29 për qind meshkuj.

Kur u pyetën nëse ata do t’i dërgonin prindërit e tyre në një shtëpi të të moshuarve, nëse një shërbim i tillë ofrohet nga shteti, shumica e pjesëmarrësve të grupeve në fokus thanë ose “jo” ose “kurrë”- thotë Dervinja në "Podcast Nacionale".

Cila është zgjidhja?

Rasti i trajtimit çnjerëzor në Pejë mund të shërbejë si pikënisje për ta ndryshuar mënyrën se si shteti e trajton kujdesin ndaj të moshuarve. Dhe zgjidhja nuk është që ta lëmë këtë punë në dorë të shoqërisë, e cila, sa herë që ndodh një rast tragjik, i rikthehet temës së Kanunit të Lekë Dukagjinit apo Kuranit, duke ofruar vetëm zgjidhje morale. Nuk mund t’u lihet në dorë as qendrave për kujdes ndaj të moshuarve.

“Edhe pse shumica e të anketuarvë e kanë hedhur poshtë idenë që t’i dërgojnë familjarët e moshuar në qendra përkujdesi, ata diskutuan për betejat e ndryshme që vijnë me kujdesin ndaj të moshuarve për personat e tjerë të varur. Disa të moshuar qëndrojnë me fëmijët e tyre të rritur që duhet të shkojnë në punë dhe kështu ata përfundojnë të vetmuar”- thotë Dervinja.

Të tjerët kanë nevojë për kujdes mjekësor. Shumë argumentuan se si nuk mund t’i lënë të dashurit e tyre vetëm në spital, sepse stafi nuk do t’u sjellë as një gotë ujë, nëse janë të etur”- shton ajo.

Dervinja thotë se ka shembuj të ndryshëm që ofrojnë opsione që Kosova mund t'i shfrytëzojë për të garantuar një pleqëri të sigurt dhe jo të vetmuar.

“Shumica e njerëzve me të cilët kemi folur, kanë folur për opsione ku nuk përfshihen qendrat apo shtëpitë për të moshuarit, si p.sh. një kujdestar që do të vinte dhe do të kalonte kohë me ta, do ta rriste kujdesin cilësor për të moshuarit e sëmurë ose do të merrte një kompensim për dhënien e kujdesit”- thotë Dervinja.

Kur në podcast u pyet nëse ka ndonjë model që Kosova do të mund ta zbatonte shpejt, Dervinja foli për “modelin danez”.

“Në lidhje me këtë, ndoshta modeli danez, ku familjeve u ofrohet një kontratë pune nga komunat për t’u kujdesur për të afërmit e moshuar (Pfau-Effinger, 2017) mund të funksionojë, me kosto të konsiderueshme”- thotë Dervinja.

Lajme të ngjashme