Sulmet brutale verbale që e paraprinë tentim-sulmin e sotëm ndaj Rrahman Jasharajt - NACIONALE

Sulmet brutale verbale që e paraprinë tentim-sulmin e sotëm ndaj Rrahman Jasharajt

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ajo që pritej me frikë se mund të ndodhte, ndodhi! Një qytetar tentoi ta sulmonte fizikisht Rrahman Jasharajn, kryesindikalistin që ishte në sulme të vazhdueshme verbale nga eksponentë të ndryshëm të pushtetit. Por, si u sulmua saktësisht z. Jasharaj përmes gjuhës dehumanizuese?

Sulmet nisën prej datës 18 gusht, kur u paralajmërua shpallja e Grevës së Përgjithshme për një javë më vonë, më 25 gusht. Dhe, ato patën intensitet të ngjashëm edhe më 25 gusht, por edhe më 1 e 3 shtator kur mund të niste viti i ri shkollor po të mos kishte pasur grevë.

Eksponentët e pushtetit provuan t’i vinin faje të ndryshme Jasharajt, prej bashkëpunëtor i Opozitës dhe i ShIK-ut që po provonte t’i merrte pushtetin Kurti e deri te bashkëpunëtor i Serbisë që po provonte të destabilizonte shtetin.

T'i marrim një nga një

Njeri i ShIK-ut

Avni Zogiani kërcënoi SBAShK-un pikërisht të enjten e 18 gushtit. Ai kërkoi që Qeveria të ndërpriste “marrëdhënien e punës për secilin që dëmtonte mësimdhënien” (sic) në këto kushte të vështira.

Deputeti i pushtetit, Adnan Rrustemi, madje pretendonte të kishte gjetur edhe një “provë” të koordonimit SBAShK-Opozitë, duke u bazuar te kërkesa e sindikalistëve për 100 euro shtesë.

Blerand Stavileci i PDK-së kishte kërkuar më 15 prill 100 euro për punëtorët, çka sipas Rrustemit tregonte se si kjo parti opozitare “kishte shkruar kërkesën e SBAShK-ut”.

Por, Jasharaj kishte pasur kërkesën në fjalë shumë muaj më parë, e madje edhe vetë Qeveria Kurti kishte përmendur 100 eurot tri ditë para se t’i përmendte ato Blerand Stavileci i PDK-së.

Për Jasharajn ka pasur edhe deklarata nga njerëz me pushtet se është “njeri i ShIK-u”, megjithëse askush nuk ka ofruar ndonjë provë për të mbështetur pretendimet e tij.

Faj për analfabetët

Testi i PISA-s është përmendur vazhdimisht kohët e fundit si arsye për mosplotësimin e kërkesave të punëtorëve të arsimit.

Rron Gjinovci ka kërkuar madje edhe “përjashtim masiv” të mësimdhënësve nga shkolla duke u bazuar në rezultatet e atij testi. Edhe shumë të tjerë kanë kërkuar të njëjtën gjë, duke e bërë me faj për gjendjen në arsim, në mënyrë direkte edhe Rrahman Jasharajn.

Albin Kurti ndërkohë, po ashtu e bëri një akuzë të tillë në mënyrë indirekte duke thënë që 75% e nxënësve na dilnin analfabetë, e të cilët “ose kërkonin asistencë sociale ose bëheshin punëtorë krahu në Gjermani”.

Por, përgjegjësia për hartimin e politikave në arsim iu takon institucioneve përgjegjëse për hartimin e politikave në arsim: Ministrisë së Arsimit dhe trupave të tjerë qeveritarë.

I lidhur me Serbinë

Eksponenti më i njohur i pushtetit që provoi ta njolloste Jasharajn me etiketën e bashkëpunëtorit të Serbisë ishte Elvis Hoxha.

Ai e quajti Jasharajn “shef të partisë serbe”, duke shkaktuar zemërim të madh publik. Jasharaj u kap nga kamera e Nacionales madje edhe derisa qante, duke treguar edhe se akuza i kishte shkaktuar edhe telashe shëndetësore.

Fatmirësisht, Hoxha do të tërhiqej nga akuza e bërë dhe do të kërkonte falje publike.

Por, këto nuk ishin të vetmet akuza të këtij lloji ndaj z. Jasharaj. Tomë Gashi do ta quante “Rrahmon Morina”, ndërkohë që Sadri Ramabaja do ta quante “njeri pa atdhe”.

Sot

Gjatë ditës së sotme, Rrahman Jasharaj rrezikonte të pësonte sulm fizik nga një qytetar i revoltuar me grevën dhe ndoshta i ndikuar edhe nga gjuha e rrezikshme e eksponentëve të pushtetit.

O armik, o armik” - raportohet të ketë thirrur kanosësi që po e priste të dilte jashtë klasës në shkollën Ismail Qemali e që donte ta sulmonte fizikisht më pas.

“Armik, më i zi se shk***” – ishte sharja tjetër drejtuar atij.

Policia e Kosovës i tha Nacionales paraprakisht se nuk do të inicionte kurrfarë rasti ndaj këtij qytetarit, sepse kishte pasur thjesht “mosmarrëveshje” por më pas ndryshoi qëndrim pas shumë deklaratave publike duke treguar se e kishte raportuar rastin si “kanosje”.

Edhe Rrahman Jasharaj është prononcuar për rastin duke thënë se ndihet i rrezikuar nga situata e krijuar:

“Një prind deshi të më sulmojë, ishte tendencioze – mund të sulmohem edhe në rrugë,” – tha ai në një prononcim të shkurtër për medie pas kësaj ngjarjeje.

Lajme të ngjashme