A u kap Policia e Kosovës? Cilësohet thjesht "mosmarrëveshje" tentim-sulmi ndaj Jasharajt - NACIONALE

A u kap Policia e Kosovës? Cilësohet thjesht "mosmarrëveshje" tentim-sulmi ndaj Jasharajt

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një qytetar i Kosovës provoi të sulmonte fizikisht kryesindikalistin e punëtorëve të arsimit, Rrahman Jasharajn, pas gjuhës dehumanizuese dhe urrejtëse ndaj tij që u derdh nga zyrtarë të shumtë të partisë në pushtet. Por, sipas Policisë së Kosovës - që para dy ditësh rrethoi skenën ku u 'sulmua' me miell Hekuran Murati - ajo që i ndodhi Jasharajt ishte thjesht “mosmarrëveshje”.

Policia e Kosovës i ka thënë gazetës Nacionale se informatën e ka pranuar rreth orës 11:33 të paradites, por “pas trajtimit të përgjithshëm të rrethanave të ngjarjes, gjithçka ka mbetur në suaza të mosmarrëveshjes.”

Në fakt, tentim-sulmi dhe dhuna verbale që ka marrë Rrahman Jasharaj nga qytetari ishin evidente, ashtu siç ishin edhe përpjekjet për ta ndaluar atë nga mësimdhënës të shkollës Ismail Qemali në Prishtinë.

“O armik, o armik,” – raportohet të ketë bërtitur qytetari derisa po priste daljen e Rrahman Jasharajt nga klasa për ta sulmuar.

Për rastin u shpreh edhe z. Jasharaj:

“Një prind deshi të më sulmojë, ishte tendencioze – mund të sulmohem edhe në rrugë,”

Një tjetër ndërkohë, po ashtu me gjuhë të urrejtjes dhe mosdurimit e quajti kryesindikalistin si “armik, më të zi se shk***”.

Aktivisti i shoqërisë civile nga Mitrovica, Besart Peci, po ashtu ka kërkuar që qytetari në fjalë të arrestohetnga Policia.

Por, asnjë nga këto nuk ka mjaftuar që qytetari të përgjigjen penalisht për veprimin e tij. Po ashtu, Policia e Kosovës nuk ka ftuar as qytetarin Elvis Hoxha për linçimin që i bëri të premten Jasharajt. Edhe juristja e medieve, Flutura Kusari, kishte kërkuar që organet e rendit ta mbanin “përgjegjës penalisht” Hoxhën, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Në anën tjetër, Policia kishte qenë e shpejt në reagim kur ministri Hekuran Murati ishte gjuajtur me miell gjatë ditës së shtunë.

Policia kishte rrethuar vend-ngjarjen për të ‘ekzaminuar’ profesionalisht atë që i ndodhi Muratit pavarësisht që gjithçka ishte xhiruar dhe publikuar gjithandej medieve sociale.

Shumë qytetarë tjerë kanë shprehur shqetësime se Policia e Kosovës nuk tregohet e drejtë në trajtimin e barabartë të qytetarëve me pushtetarët.

Lajme të ngjashme