Albin Kurti 'i harroi' sot 100 euro në Gjakovë, deputeti i VV-së mendoi se janë të PDK-së - NACIONALE

Albin Kurti 'i harroi' sot 100 euro në Gjakovë, deputeti i VV-së mendoi se janë të PDK-së

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për kohë të gjatë sa ishte opozitar është lavdëruar nga mbështetësit e madje edhe oponentët e tij politikë për mbamendjen e fortë. Por, pikërisht mbamendja e tradhtoi sot atë, e me këtë edhe vartësit e tij, që ia huqën krejtësisht një shifre të rëndësishme në përballje me Rrahman Jasharajn.

Kurti u prononcua për herë të parë gjatë ditës së sotme që nga shpallja e Grevës së Përgjithshme më 25 gusht.

Një prej kërkesave kryesore të grevistëve është 100 euro shtesë deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave.

Kryeministri e nënkuptoi si “arbitrare” kërkesën e sindikalistëve dhe punëtorëve, duke e lidhur kësisoj me agjendat e partive politike kundërshtare. Çka tha Kurti saktësisht?

Huqje e pabesueshme

“Nuk na çojnë askund greva, bojkoti e mospuna... kërkesat sindikale dhe greva si instrument nuk do të duhej të dalin përtej racionales, nuk duhet të jenë të palogjikshme. Sepse kur dikush thotë “duhet të ma rrisësh rrogën për 100 euro. Pyetja është: “Pse jo 300 euro, pse veç 100?” tha kryeministri i Kosovës.

Këtë diskurs të Kurtit e çoi përpara edhe deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, që konsideroi se kërkesa për 100 euro lidhej me PDK-në. Ai jepte edhe ‘prova’. Blerand Stavileci e kishte dhënë idenë më 15 prill 2022, kur kishte kërkuar që “Qeveria të ndante nga 100 euro në muaj për të gjithë punëtorët dhe të papunët”.

Ja arsyetimi i z. Rrustemi:

“...kërkesat e sindikatave të datës 25 gusht, ua kanë shkruar PDK-ja me 15 prill. Grevat janë politike. Sindikatat janë opozita.”

Por, 100 eurot kanë një histori pak më të gjatë. Të paktën për tri ditë.

Ishte data 12 prill, kur Qeveria e Kosovës do të ndante nga 100 euro për kategori të ndryshme sociale, punëtorë të sektorit publikë dhe privat. Pra, tri ditë më herët se Blerand Stavileci i PDK-së.

Në bazë të logjikës së z. Rrustemi, e madje edhe z. Kurti, del se ishte Qeveria që “shkroi kërkesat e sindikave më 25 gusht, më datën 12 prill!”

100 euro, bile edhe para 12 prillit

Por, kërkesa e SBAShK-ut për 100 euro shtesë daton qysh në fillim të këtij viti, e madje edhe para këtij viti.

Ishte 9 marsi kur Jasharaj do të bënte artikulim serioz në lidhje me kërkesën në fjalë.

“SBAShK-u duke respektuar zërin e anëtarësisë që nga çerdhet e deri në universitete, por edhe në kulturë, i është drejtuar ministres Nagavci që ajo të ngritë në Qeveri dhe të aprovohet kërkesa që nga muaji prill një shtesë prej 100 euro mbi pagat aktuale për të gjithë të punësuarit në sistemin arsimor dhe në shkencë e kulturë dhe kjo të vlejë në kohën kur Ligji i Pagave të aprovohet dhe të nis së zbatuarit.” – kishte thënë z. Jasharaj në atë kohë.

A nënkupton kjo se z. Jasharaj ka shkruar vendimin e Qeverisë për 100 euro shtesa në muajin prill për të punësuarit kosovarë?

Çka nënkupton kjo huqje?

Mungesa e dialogut social me sindikata dhe punëtorë është një ndër kritikat më të përsëritura ndaj Kurtit. Por, duket se mbiprania e një dialogu tjetër po e bën Kurtin shpërfillës ndaj realitetit politik e ekonomik në vend, madje shpërfillës edhe ndaj vendimeve të cilat i ka marrë vetë.

"Pse jo 300, pse veç 100?. mund të ishte pyetja që do t'i bëhej edhe Kurtit në muajin prill për vendimin e tij që të jepeshin nga 100 euro shtesë nga shteti për punëtorët në fillim të prillit.

Sidoqoftë, Kurti fatkeqësisht intervistën e fundit në mediet shqipfolëse e kishte para gazetarit Çim Peka në Shqipëri, dhe nuk do të mund të sprovohet për një gjë të tillë.

Lajme të ngjashme