S’ka kushte: FSK-ja i hipë 'një-mbi-një' ushtarët që udhëtojnë nga Prizreni në Istog
64 kilometra është distanca mes të Prizrenit dhe Istogut. E këtë rrugë çdo ditë me plot vështirësi e bëjnë shumë pjesëtarë nga Forca e Sigurisë së Kosovës. Nga Prizreni e për në destinacionin në Istog, kazermën “Ushtarët e NATO-s”.
E që udhëtimi i tyre të jetë më i lehtë, ushtarëve tanë iu është siguruar një mini-bus me vetëm 18 ulëse, mirëpo numri i ushtarëve nga Prizreni është shumë herë edhe më i madh.
Një pjesëtar i FSK-së, ka treguar për Gazetën Nacionale se kapacitetet në këtë mini-bus janë të kufizuara dhe disa pjesëtarë detyrohen të qëndrojnë në këmbë gjatë tërë udhëtimit apo të gjejnë alternativa të tjera.
“Ne kemi një mini-bus me vetëm 18 ulëse, që udhëtojmë nga Prizreni për në kazermën në Istog dhe çdo ditë krijohet një tollovi e madhe në mini-bus. Pasi që mini-busi nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të gjithë. Disa nga ne rrinë shpesh herë edhe në këmbë, ndërsa disa të tjerë shfrytëzojnë edhe makinat e tyre personale për udhëtim,” - ka treguar ai.
Nacionale i është drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, ku të njëjtit kanë deklaruar se janë duke punuar për realizimin e këtyre kushteve.
“Ministria e Mbrojtjes është e angazhuar maksimalisht që të siguroj kushte sa më të mira për shërbim, arsimim, stërvitje dhe operacione. Për këtë kemi në proces të gjitha aktivitetet e prokurimit dhe kontraktimit të cilat janë në fokus të realizimit të këtyre kushteve, ku hyjnë me prioritet edhe çështja e përmirësimit të sistemit të transportit,” - thuhet në përgjigjen e tyre.
Eksperti i sigurisë në Kosovë, Agim Musliu, ka thënë se dihet se FSK i ka kapacitetet e kufizuara, kjo sipas tij për dy arsye: mungesës së parave dhe statusit të saj.
“Ndërsa, sa i përket kapaciteteve profesionale të kuadri ushtarak, atëherë mund të themi se FSK është një ushtri vertetë moderne, që ka një strukturë të mirëfilltë, kombinim i përvojes ushtarako-luftarake me gjakun e ri të kadetëve të shkolluar sipas standardeve me profesionale,” - ka thënë Musliu.
Ai tutje ka thënë se mund të konstatojë se puna e FSK-së në përgjithësi është për t'u lakmuar.
“Kosova elementin e sigurisë, e ka me të nevojshmin, dhe këtu krahas nevojave nuk jemi shumë të kenaqur, por mund të thuhet se institucionet e sigurisë janë në nivelin me të larta nga te gjitha institucionet,” - ka përfunduar ai.
Megjithatë, ky del të jetë një shembull i keq i trajtimit të ushtarëve. E në një prononcim për CNN, ish gjenerali Wesley Clark që kishte qenë kyç në bombardimet e caqeve ushtarake serbe më 1999, kishte treguar pikërisht rëndësinë e ushtarit në kohë luftërash duke folur për agresionin rus në Ukrainë.
“Ata s’kanë përparuar në të vërtetë prej Luftës së Parë Botërore. Ideja e tyre është “jepjuni fshatarëve një pushkë dhe thuajuni të sulmojnë dhe ju duhet një gjeneral i sertë që sillet keq me ta nëse nuk kryejnë detyrën. Kjo është krejt e kundërta e asaj se si ne besojmë që fitohen luftërat. Ne themi që është ushtari individual, është karakteri, përkushtimi, trajnimi i tij, arma e tij, aftësia që ka për t’u mbrojtur (që fiton luftëra). Gjeneralët, komandantët mund të humbin betejën, mund t’i vënë kushtet për sukses, por s’mund ta fitojnë. Lufta fitohet në nivel ushtarësh. Ukrainasit e kuptojnë këtë gjë.” – kishte thënë ai.

