Raportohet se është shtyrë seanca ndaj tri infermiereve për dhunën ndaj të moshuarës në Pejë
Seanca gjyqësore ndaj tri infermiereve të Qendrës “Orenda” ku u dhunua një grua e moshuar është shtyrë.
Kjo është bërë e ditur nga portali Klan Kosova, megjithëse nuk janë ofruar arsyet prapa një vendimi të tillë.
Prokuroria ka bërë kërkesë prej 30 ditësh paraburgim.
Gazeta Nacionale ka provuar në mënyrë të pavarur ta konfirmojë këtë informacion, por deri në këtë moment nuk ka marrë përgjigje nga burimet e saj brenda Gjykatës në Pejë.
Përditësim (16:10): Burimet i kanë thënë gazetës Nacionale se seanca është duke vazhduar.
Përditësim (16:13): Zëdhënësja e Gjykatës në Pejë, Tringa Zhuti, i ka thënë gazetës Nacionale se seanca ishte shtyrë vetëm për gjysëm ore. Por, ajo nuk kishte asnjë informacion se pse kishte ndodhur një gjë e tillë.
Sfond:
Një video jashtëzakonisht shqetësuese është postuar dje nga një qytetare me emrin Kaltrinë Zeneli.
Në video shihet teksa maltretohet një zonjë në moshë nga disa vajza të reja, të cilat duket se janë infermiere. Rasti ka ndodhur në një shtëpi për përkujdesjen e të moshuarve “Orenda” në Pejë.
Infermierja shihet derisa e godet disa herë në fytyrë pacienten, derisa ajo është e paaftë që ta mbrojë veten. Krejt këto sjellje të dhunshme i bën derisa qeshet me disa kolege (ose gra të njohura) të tjera, të cilat nuk duken në video.
Ndërkohë, Nacionale e ka konfirmuar tashmë se dy infermiere deri tash janë arrestuar ndërkohë që autoritetet kanë nisur hetimet.
Ky rast e ka tronditur opinionin publik, me reagime nga të gjitha anët.
Të gjitha ngjarjet dhe reagimet mund t’i përcillni duke klikuar KËTU.
