Shteti e komuna shpërfillin familjen prishtinase që po ‘lufton’ kundër muzikës së kafeterive - NACIONALE

Shteti e komuna shpërfillin familjen prishtinase që po ‘lufton’ kundër muzikës së kafeterive

1 vit më parë

nga Trina Zuka

Të gjithë irritohemi nga zhurma e madhe, kur përballemi me të. Merreni me mend, sikur zhurma e madhe të jetë pjesë e përditshmërisë suaj, dhe juve të mos ju ndihmojë askush. Më poshtë keni rastin e familjes Shkodra, që banon në njërën prej rrugëve më të famshme të kryeqytetit.

Janë bërë më shumë se 10 vjet prej që familja Shkodra, banorë të kryeqytetit, ballafaqohen me një problem që po i shqetëson tej mase.

Është muzika e lartë, ajo e cila lëshohet në dy lokale të rrugës Rexhep Luci, edhe pas orës 10 të mbrëmjes.

Muzika e cila dëgjohet në banesën e familjes Shkodra

Kjo gjë po e detyron Xhevat Shkodrën, 73-vjeçar, dhe gruan e tij Shqipen, 67-vjeçare, që të marrin ndoshta edhe vendimin për t’u larguar nga banesa e tyre, në të cilën jetojnë tash e një kohë të gjatë.

Nga kjo familje tregojnë për gazetën se shumicën e kohës e kanë të vështirë ta bëjnë gjumin natën, nga zhurma e madhe që shkaktojnë këto dy kafeteri.

“Në shumicën e kohës e kemi problem edhe gjumin me e bë si duhet. Është një zhurmë tejet e madhe që lëshohet edhe pas orës 10, d.m.th. deri edhe kur e kanë të lejume. Shkaku i këtij problemi po detyrohemi që ndoshta edhe të largohemi nga vendi ku e kemi jetu pjesën ma të madhe të jetës”, thonë familja Shkodra.

Halli i kësaj familjeje është edhe më i madh me mosveprimin e institucioneve përgjegjëse, për të marrë masa ndaj këtyre kafeterive.

Xhevat Shkodra tregon se (sic) nuk ka lënë vend pa u ankuar rreth këtij problemi, por as komuna e as policia nuk kanë vepruar.

“Nuk kam lënë vend pa u anku rreth këtij problemi, domethanë jam anku në komunë, polici, ministri të Xhelal Sveçlës, tek Ombudspersoni e në shumë instanca të tjera, por kurrë asnjë vendim s’është marrë. Nuk po e kuptojmë se kush janë këto kafiteri që komuna nuk po guxon me marrë masa ndaj tyre”, shton ai.

Gazeta ka provuar të marrë përgjigje nga komuna e Prishtinës, më saktësisht drejtoria e Inspekcionit në krye me Florian Dushin, por të njëjtit nuk janë përgjigjur për të treguar, nëse po mundohen të gjejnë zgjidhje për këtë hall të banorëve të kësaj rruge.

Çfarë thotë ligji për rendin dhe qetësinë publike?

Ndërsa ligji për rendin dhe qetësinë publike, më saktësisht neni 8, tek bezdisjet publike, thotë se:

  1. Kushdo që shkakton zhurmë të panevojshme dhe të padurueshme që dëgjohet te banorët përreth apo në rrugë dhe që shqetësojnë personat tjerë nga ora 22:00 e deri në orën 07:00 gjatë ditëve të javës dhe prej orës 23:00 e deri ne orën 07:00 të shtunave dhe të dielave, dënohet për kundërvajtje.
  2. Nëse kundërvajtjet nga paragrafin 1 të këtij neni janë kryer nga personi fizik, ai/ajo dënohet me gjobë prej tridhjetë (30) deri pesëqind (500) Euro.
  3. Nëse kundërvajtjet e parapara në paragrafin 1 të këtij neni janë kryer nga pronari ose personi përgjegjës i një subjekti juridik, ai/ajo dënohet me gjobë prej njëqindepesëdhjetë (150) deri shtatëqind (700) Euro.

Lajme të ngjashme