Situata në dy shkolla të Prishtinës: Njëra mbajti mësim, te tjetra veç një mësuese - Paga s'i doli askujt - NACIONALE

Situata në dy shkolla të Prishtinës: Njëra mbajti mësim, te tjetra veç një mësuese - Paga s'i doli askujt

1 vit më parë

nga Anita Nikaj

Sektori publik ka vendosur që të hyjë në grevë deri në miratimin e kërkesave të tyre drejtuar qeverisë, ku përfshihet kërkesa prej 100 euro deri në miratimin e ligjit për paga.

BSPK-ja në përgjithësi e SBAShK-u kanë mbetur të palëkundur, përkundër kërcënimeve të qeverisë se grevistëve do t'u ndalen pagat nëse e bëjnë një gjë të tillë.

Përderisa qeveria thirret në një nen të interpretueshëm, grevistët thonë se nuk kanë të drejtë të dënohen, teksa gjithçka mbetet të moralja, kur jemi në një situatë katastrofale ekonomike.

Hajde ecim se paska grevë

Hajde, hajde ecim se paska grevë..... Këto ishin fjalët e disa personave të moshuar të cilët prisnin në radhë para komunës së Prishtinës të cilët kishin ardhur për t'u pajisur më dokumentacione të ndryshme.

Radha ishte e gjatë, të vetmin dokument që arrinin ta merrnin ishin certifikatat e lindjes në mënyre digjitale, aparat i vendosur nga komuna i cili punon pa asistencën e askujt.

’Të mërkurën e kam terminin për vizë në ambasadën Gjermane, më duhet certifikata e bashkësisë familjare, këtu nuk po e lëshojnë, më thanë se nëse jam në sistem të shkoj në Podujevë pasi që komuna atje nuk është në grevë, nuk e di a me shku a jo, çka nëse nuk punojnë as ata’’, tha një qytetare e cila ishte duke u përpjekur që të gjente një zgjedhje së bashku me rojën e ndërtesës pasi që asnjë zyrtar nuk ishte në vendin e punës.

Ankesat ishin nga më të ndryshmet por ajo se çfarë i shqetësonte qytetarët më shumë ishte mospajisja me certifikata të cilët iu pamundësonin pajisjen më vizë si dhe regjistrimin e automjeteve.

‘’Motër çka me fole, kerrit mi ka dalë regjistrimi nëse me zen policia në rrugë pa regjistrim unë e marr dënimin jo kta që nuk janë duke punuar’’, tha Beka i cili nuk tentoi të flas më askënd nga komuna vetëm kishte ardhur për të parë nëse ende janë në grevë.

E vetmja...

Bëhet fjalë për punëtorët e shkollës së mjekësisë ‘’Ali Sokoli’’ në kryeqytet, edhe pse ishin duke mbajtur mësim, jozyrtarisht i thanë Nacionales së pagat ende nuk kanë dalur, pasi që as ata vet nuk e kishin të qartë nëse do të dilnin në punë deri një ditë më parë.

Ndërsa, nxënësit e kësaj shkolle thanë se janë njoftuar dje me faktin se shkolla nuk është pjesë e grevës.

‘’Ne dje jemi njoftuar se nuk ka grevë’’, thanë 5-6 nxënës njëzëri.

Edhe pse insistuam që të takoheshim më ndonjë nga përfaqësuesit e shkollës, ishte e pamundur pasi që roja pranë hyrjes së shkollës nuk na lejonte që të futeshim brenda objektit të shkollës e as të na mundësonte kontaktin me drejtorin e kësaj shkolle.

Shkolla e mjekësisë, është e vetmja shkollë e mesme që është duke mbajtur mësim.

Në të njëjtin objekt gjendet shkolla e mesme e muzikës ‘’Prenk Jakova’’, por kjo shkollë ishte në grevë.

Profesoresha Vjosa Krasniqi i tha Nacionales se të gjithë kanë vendosur që greva të vazhdojë.

‘’Ne jemi takuar si kolektiv, nuk kemi qenë të sigurtë nëse do të vazhdojmë grevën apo jo, por sot të gjithë u pajtuam që greva të vazhdojë’’, tha ajo për Nacionale

Por, kjo vonesë e marrjes së vendimit nuk u pëlqeu disa nxënësve të cilët në orën 7 kishin ardhur nga Podujeva e ende po sodisnin në oborrin e shkollës.

‘’Nuk e kemi ditur se ka grevë pasi që nuk e kemi parë asnjë njoftim në faqen e shkollës, kur erdhëm këtu në mëngjes na thanë se janë në grevë. Kemi ardhur nga Podujeva, tash po kthehemi deri sa të vendosin kur me ardhe’’.

Rrugën e vazhduam për tek shkolla fillore ‘’Dardania’’, ku një mësuese e ciklit të ulët kishte paralajmëruar se do të vazhdojë mësimin përkundër grevës se kolegëve të saj. Ajo e vetme kishte njoftuar prindërit se mësimi do të vazhdojë sipas orarit të rregullt.

Oborri ishte i mbushur me disa fëmijë së bashku me prindërit e tyre që prisnin në radhë për t'u futur në klasën e parë.

Një prind i mllefosur tha se krejt kjo situatë është tejet stresuese për ta dhe fëmijët.

‘’Na ka ardhur në maje të hundës, qeveria dërgoni fëmijët në shkollë, SBASHK-u mos i dërgoni se jemi në grevë. As ne nuk po dimë ka me ja majtë, çika është në klasën e dytë, ne kemi pru se qashtu ka thënë qeveria, por kur erdhëm na thanë kthehuni’’.

Shumë nga prindërit të cilët ishin duke pritur para shkollës, ishin te zemëruar nga luajtja ping-pong, mes Qeverisë e SBASHK-ut, por më sa duket asnjëra palë nuk është duke lëshuar pe.

Grevës nuk i kanë shpëtuar as universitetet, ani pse profesorët arrijnë pagat deri në 4 mijë euro, gjatë vitit shkollor.

Greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të SBASHK-ut, edhe pse prindërit dhe qytetarët janë duke kërkuar që njëra palë të lëshojë pe, pasi që janë duke u dëmtuar të gjithë.

Lajme të ngjashme