Sa më shumë gratë çlirohen, aq më shumë burrat armiqësohen: Gjërat që duhet t'i dini për misogjininë në Kosovë? - NACIONALE

Sa më shumë gratë çlirohen, aq më shumë burrat armiqësohen: Gjërat që duhet t'i dini për misogjininë në Kosovë?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Dhunimi seksual i një vajze 11 vjeçare nga pesë burra ka rikthyer dhe përforcuar termin “misogjini” në Kosovë. Ai përshkruan urrejtjen ose përbuzjen e burrave ndaj grave që më pas përkthehet edhe në organizim shoqëror e institucional. Derisa ky term po fiton gjithnjë e më shumë terren, duhet të kuptojmë se cili është konteksti kosovar dhe a duhet që gratë të kenë frikë?

Për dhunimin seksual të 11 vjeçares në Prishtinë dyshohen pesë persona, tre prej të cilëve të mitur. Ndërkohë, ka raportime se ajo është dhunuar edhe nga gjashtë persona të tjerë.

Para do kohe, një rast tjetër ilustroi misogjininë tmerruese në vendin tonë. Një vajzë e mitur nga Drenasi ishte dhunuar seksualisht dhe keqtrajtuar nga mësuesi, mjeku polici dhe më pas dyshohet edhe nga avokati.

Ndërkohë, përditë vijnë lajme të tmerrshme nga raportet e Policisë, e në të cilat kallëzohen raste të dhunës fizike e psikologjike që ushtrojnë burrat ndaj grave.

Pse gjithë kjo dhunë?

Shoqëria kosovare pas lufte ka kaluar në një fazë të gjithëmbarshme tranzicioni ku përfshihej edhe ai kulturor e vleror. Kjo ka bërë që masivisht të hiqej dorë nga vlerat konservatore, për të përvetësuar vlera gjithnjë e më liberale.

Një gjë e tillë ka hequr deridiku nga terreni shtypës një mori rolesh, sidomos ato të lidhura me seksin e grave: nënën, gruan, motrën etj. Por, po ashtu ka hequr edhe një mori privilegjesh për rolet shoqërore të lidhura me seksin e burrave: babain, burrin, vëllain etj.

Parimisht, kjo do të nënkuptonte edhe shoqëri më të hapur e më të drejtë, por megjithatë ky konkludim është i vështirë që të nxirret nëse shohim gjithë këtë dhunë.

Një tjetër indikator i mundshëm i kësaj hapjeje, por njëkohshëm edhe ‘konflikti’ seksor e gjinor, është edhe numri gjithnjë e në rritje i shkurorëzimeve. Për vetëm dy muajt e partë të vitit 2022, 250 raste shkurorëzimesh ishin bërë në Kosovë.

A ka këtu një farë rezistence?

Sociologu Albert Mecini i lë fajin fillimisht mungesës së një edukimi bazik primar.

“Bazat e mungesës të këtij edukimi primar apo edhe një lloj vetëdijësimi duhet hetuar që në nivele të familjes, pastaj shkollës dhe në hapësira tjera sociale. Në këto mjedise kryesisht aspektet e dominimit, subordinimit, nënçmimit ose edhe fyerjeve ndaj vajzave kalojnë në heshtje, dhe se kjo praktikë fatkeqësisht sikurse është e normalizuar në mjediset sociale,” - i tha ai Nacionales fillimisht.

Aktivistja Zana Avdiu që kishte përmendur dhe ishte kritikuar për përdorimin e fjalës “urrejtje e burrave ndaj grave” ishte mjaft e qartë në gjykimin e saj dhënë gazetës Nacionale.

“Sa më shumë që gratë çlirohen nga zinxhirët tradicionalë, burrat aq më shumë do të armiqësohen, që dmth do të ketë më shumë dhunë, më shumë përdhunime, më shumë vrasje. Po të vazhdonin rolet gjinore siç kanë qenë deri tash, nuk do të kishte kaq shumë dhunë. Në fund të fundit, askush s’e vret skllavin e vet.” – u shpreh znj. Avdiu.

Në bazë të asaj që na tha aktivistja e zëshme, të rëndësishme bëhen edhe statistikat e popullësisë. Për fat të keq, regjistrimi i popullësisë në vitin 2021 ka dështuar por megjithatë mund të shërbehemi me statistikat e regjistrimit të popullësisë të vitit 2011.

Kosova është mes shoqërive më të reja sa i përket moshës së popullësisë në Evropë. Megjithatë, kjo rini nuk është e ndarë në mënyrë të barabartë mes burrave dhe grave, ose djemve dhe vajzave.

Në bazë të statistikave, nga grupmoshat që në atë kohë ishin mes 0 deri në 29 vjeçarë, ishin lindur plot 34 mijë e 216 gra më pak. 499 mijë qytetarë të këtyre grupmoshave ishin burra ndërsa 465 mijë e 514 ishin gra.

Për më tepër, kishte më shumë burra në cilën prej gjashtë grupmoshave të të rinjve tanë: 0-4, 5-9, 10-14, 15-19, 20-24 dhe 25-29.

Vajzat dhe gratë po futen gjithnjë e më shumë – megjithëse ende jo sa duhet - në tregun e punës dhe po marrin role shumë të rëndësishme në botën e biznesit dhe politikës.

Sociologu Albert Mecini në fjalën e dhënë Nacionales përmend privilegjet që i merrnin burrat nga traditat shoqërore në Kosovë, dhe atë çka mund të pasojë prej gjithë kësaj.

“Traditat shoqërore në Kosovë kanë privilegjuar djemtë në raport me vajzat sa i përket ndarjes së pasurisë familjare, e që kjo përbënte një padrejtësi sociale, përveç tjerash e imponuar edhe nga rrethanat e kohës. Tash ai model i pabarazisë sociale po humbet relevancën e vet, dhe mbështetur edhe në të drejtat ligjore, vajzat gjithnjë e më shumë po faktorizohen në aspektin social dhe gëzojnë të drejtat e tyre për trajtim dhe status të barabartë shoqëror. Kjo me gjasë për një pjesë të burrave mund të duket si praktikë jo lehtë e pranueshme, por që duhet të mësohen dhe do të mësohen për trajtim të barabartë gjinor në secilin aspekt të jetës.” – u shpreh ai.

Nëse burrat kosovarë do të arrijnë të bëjnë ujdi më shpejt me fatin e tyre të humbjes së privilegjeve që iu jepte kultura shtypëse tradicionale nuk dihet, por ajo që dihet është se institucionet e sigurisë dhe drejtësisë duhet të rrisin kapacitetet në këtë drejtim.

Dhe, kjo asnjëherë nuk duhet të nënkuptojë se gratë – por edhe burrat që kanë pranuar heqjen e privilegjeve – duhet të dorëzohen.

“Çdo shtypje është gjendje lufte, edhe shtypja gjinore nuk është ndryshe,” – na tha aktivistja Zana Avdiu.

Lajme të ngjashme