Dhuna në familje: Për tre muaj u rrahën 581 gra, këtë javë 38 sosh - NACIONALE

Dhuna në familje: Për tre muaj u rrahën 581 gra, këtë javë 38 sosh

1 vit më parë

nga NACIONALE

Vazhdon dhuna në familje dhe viktimat kryesisht janë gra. Raportet e policisë tregojnë se gjatë kësaj jave janë shënuar mbi 40 raste të dhunës në familje dhe viktimat ashtu ishin gra. Raportet nga të gjitha drejtoritë e policisë tregojnë se nëpër të gjitha qytetet e vendit është raportuar dhunë ndaj grave.

38 gra dhe vajza kanë raportuar në polici bashkëshortët apo partnerët për ushtrim të dhunës fizike e psiqike. Në disa raste edhe prindërit apo vëllëzërit janë raportuar si dhunues ndaj vajzave, nënave apo motrave të tyre.

Bile në disa raste, viktimat gra kanë theksuar se dhuna ndaj tyre ka qenë e vazhdueshme dhe është ushtruar më shumë se sa në një rast.

Nga raportet e policisë del se raportimet më të shumta të dhunës ndaj grave janë shënuar në Prishtinë, por nga disa raste janë shënuar në Fushë Kosovë, Gjakovë, Prizren e Skenderaj.

Në Gjakovë në stacionin policor dy gra kanë raportuar një burrë për ushtrim të dhunës fizike e psiqike ndaj tyre. Ndërsa në Skënderaj një pjesëtar i FSK-së ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, si dhe ka kanosuar policët që kishin intervenuar ndaj thirrjes së gruas që dyshohet se është dhunuar fizikisht nga bashkëshorti.

Ndërsa në Prishtinë, një vajzë ka raportuar në polici partnerin e saj për ushtrim të dhunës në disa raste. Ndërkaq në një rast në Prizren, për shkaqe pronësore, bashkëshorti është denoncuar për dhunë fizike, e po ashtu për kërcënim me jetë ndaj bashkëshortes së tij.

Dhunë fizike ndaj një vajze të mitur është ushtruar në një rast në Prizren, ku babai ka dhunuar fizikisht fëmijën e tij vajzë, dhe pas raportimit të të miturës, personi është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

Ndërsa në Kamenicë një person në gjendje të dehur ka sulmuar fizikisht nënën e tij dhe vëllain. I njëjti pas intervistimit nga policia me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. E në Shtime një person ka sulmuar fizikisht babain e tij, dhe i njëjti është arrestuar.

Policia e Kosovës i tha gazetës Nacionale se gjatë viteve të fundit është vërejtur rritje e numrit të denoncimeve për dhunë në familje.

‘‘Rastet e dhunës në familje në secilin stacion policor trajtohen nga zyrtarë policorë që kanë kryer trajnime shtesë për raste të tilla’’ – thuhet në prononcimin e policisë.

Policia po ashtu bënë të ditur se për trajtimin e rasteve të dhunës në famije është duke bashkëpunuar me Qendra për Punë Sociale, Mbrojtësit e Viktimave.

‘‘Rastet e tilla gjithashtu trajtohen në bashkëpunim të ngushtë me Qendrat për Punë Sociale, Mbrojtësit e Viktimave dhe natyrisht me organet e drejtësisë. Sidomos, raste kur janë të përfshirë fëmijët si viktimë prania e punëtorit të QPS-së është e domosdoshme’’ – thuhet nga Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun e Policisë së Kosovës.

Nga raportet e policisë në periudhën janar-mars të këtij vitit janë shënuar 697 raste të raportimeve të dhunës në familje. Viktima të dhunës kanë qenë 581 gra, ndërsa 188 burra ishin viktima po ashtu. Për tre muaj janë shënuar 760 viktima gjithsej.

Ndërsa përgjatë vitit 2021 policia tregon se janë raportuar 2456 raste të dhunës në familje dhe janë regjistruar 2486 viktima që shumica dërmuese janë gra.

Lajme të ngjashme